Qeveria, idetë korruptive dhe PDK-ja opozitare - Gazeta Express
string(45) "qeveria-idete-korruptive-dhe-pdk-ja-opozitare"

Qeveria, idetë korruptive dhe PDK-ja opozitare

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

30/12/2021 12:51

Një parti politike e ka më të lehtë t’i largojë nga radhët e veta njerëzit e korruptuar sesa idetë korruptive. E para nuk është e lehtë përkundrazi, por e dyta është pothuajse e pamundur

Faton Abdullahu

QEVERIA

Sa më të errët e paraqet Qeveria aktuale të kaluarën e dy dekadave të fundit në Kosovë aq më të përshtatshme i krijon rrethanat në të cilat një sukses i saj sado i vogël sot do të perceptohet si fitore e madhe. Ose ndryshe, sa më zi thuhet e flitet për qeveritë e kaluara aq më shumë amortizohet e minimizohet çdo dështim i tashëm i Qeverisë. Kriza energjetike këto ditë e ilustron këtë më së miri. Me fjalët që ta qojnë tugun të Kryeministrit Kurti ‘ Kosovën e kemi gjetur të gjakosur dhe për toke në gjithë anët’, ky populizëm dikur opozitar tash qeverisës, kuptohet drejtë e mirë sa i shtrembët e i padrejtë është. Thënë përmbledhtazi qëllimi i këtij koncepti të ri, por regresiv qeverisës, është për të arritur tek përfundimi në të parë i logjikshëm por në realitet i dekadent – nuk mundemi ne për disa muaj me i riparu dështimet e juaja për dy dekada, duhen shumë vite për të filluar ndryshimet pozitive. Për rrjedhojë sipas kësaj logjike e keqja është se ndërkohë qytetari duhet të pres e duroj për ditë më të mira dhe të mos ankohet e kundërshtoj në këto ditë të këqija.

Ky koncept politik dhe tashmë qeverisës, nuk është i mundshëm të ndërtohet as të mirëmbahet me fakte, sepse është rrenë. Kjo është ndërtuar dhe mbahet gjallë me bindje ideologjike. Në rastin e Kosovës kjo ideologji është majtiste populiste e cila vdes për ta filluar një etapë të re duke e rishkruar një epokë të kaluar ku Kosova u çlirua u bë shtet dhe është vendi më demokratik në Ballkanin e mbetur jashtë BE-së. Kërkohet bindje populiste për ta kuptuar partiakisht konceptin torollak ‘qe 20 vjet është shkatërru ky vend’ për tu kthyer pastaj në besim të verbët politik. Kështu e kaluara po bëhet më rëndësishme se e ardhmja, sepse duhet të mbrohet e tashmja nga sukseset e kaluara dhe nga dështimet dhe mungesa e vizionit për të ardhmen.

PDK-ja

Krejt kjo që thash më sipër nuk është krejt dhe nëse shihet ndaras nga kjo që do të them më poshtë mund të konsiderohet me të drejtë e mangët dhe jo fer. Të kuptohemi, kur ne si opozitë, pra si PDK konstatojmë se qasja regresive ‘qe 20 vjet e keni shkatërruar këtë vend’ është gënjeshtër dhe e pamoralshme, ne nuk po e ndërtojmë mbi këtë qasje kauzën dhe alternativën tonë politike. Jo në asnjë mënyrë. Kjo do të ishte krejt e pamjaftueshme, për PDK-n. Ne nuk po themi se si PDK, ne humbëm në zgjedhjet e fundit nacionale, aq sa humbëm, sepse qytetarët u gënjyen plotësisht nga partia fituese dhe ne nuk jemi fajtor për asnjë dështim dhe për asnjë ngecje në dy dekadat e fundit. E vërteta nuk është kështu bardh e zi. Po të mendonim kështu i bije që ne si PDK sot nuk kemi pse të reformohemi, s’kemi pse sjellim kuadro të reja në parti, aq më pak na duhen idetë e reja dhe progresive. Për më shumë kjo i bije që ne duhet të kthehemi krejt me të vjetrën, ashtu sikundër kemi qenë që të fitojmë ashtu sikundër kemi fituar në të kaluarën. Po e përsëris e vërteta nuk është kështu bardh e zi është më e ndërlikuar. Për më keq në këtë rast kjo do t’i binte që qytetarët kanë gabuar në çdo aspekt në zgjedhjet e fundit nacionale. Jo kjo nuk qëndron. PDK e ka marrë mësimin nga dështimi në zgjedhjet e fundit parlamentare, e ka lexuar humbjen drejtë dhe tash sa kohë është duke vepruar në koordinim me këtë realitet të ri. Kjo është e vërtetë, po aq sa është e vërtetë që ky qytetarë dhe jo vetëm ky por, edhe OJQ-t edhe mediat edhe analistët edhe krejt spektri jashtë opozitës partiake, e cila ishte shumë dhe pa rezerva me VV-n para zgjedhjeve, po shpreh zhgënjim të madh për qeverisjen aktuale e për përkrahjen që ja ka dhënë partisë fituese, gjë që këtë po e shpreh me doza të mëdha, edhe pendimi dhe me kritika të ashpra, për dështimet e qeverisë aktuale.

Jam i bindur se një parti politike e ka më të lehtë t’i largojë nga radhët e veta njerëzit e korruptuar sesa idetë korruptive. E para nuk është e lehtë përkundrazi, por e dyta është pothuajse e pamundur. Idetë korruptive determinojnë ideologjinë populiste e për rrjedhojë qeverisjen me ideologji korruptive. Kjo në gjenezë nënkupton të thuash dhe të bësh diçka tjetër në opozitë dhe të thuash e bësh diçka tjetër në pushtet. Korrupsioni këtu nënkupton të marrësh shumë vota me shumë mashtrime. Sot, demaskimi me arkiva, duke nxjerr video se çka është thënë dje e çfarë po thuhet e bëhet sot, është mjeti më efikas, demaskuesi më demokratik i realitetit korruptiv qeverisës. Natyrisht ky është vetëm fillimi. Në vitin e ri që po hyjmë do te ketë ide të reja opozitare kuadro të reja dhe alternativë të re politike. Me këtë dëshirë Gëzuar 2022-ta!