PROFILI: Ndragheta, mafia më e vjetër në Itali me një xhiro vjetore prej 55 miliard eurosh - Gazeta Express
string(88) "profili-ndragheta-mafia-me-e-vjeter-ne-itali-me-nje-xhiro-vjetore-prej-55-miliard-eurosh"

PROFILI: Ndragheta, mafia më e vjetër në Itali me një xhiro vjetore prej 55 miliard eurosh

Shqiperi

Gazeta Express

27/01/2021 12:33

Ndragheta është prej dy javësh tashmë thelbi i debatit publik që ka shpërthyer në vend, pas përgjimeve të publikuara të disa anëtarëve të saj që kanë pasur aktivitet në Shqipëri.

Kush dhe çfarë është Ndragheta, grupi i krimit të organizuar i cilësuar më i rrezikshmi nga Interpol dhe Europol, plus Qeverisë italiane.

Lexo Edhe:

Deri para disa vitesh, Ndragheta nuk e kishte vendin e vet në listat e zeza të Agjencive ligjzbatuese, madje në vitin 2008, është vendosur në listën e zezë nga ana e SHBA si një nga organizatat më të rrezikshme të narkotrafikut.

Vitin e shkuar, Interpol nisi operacionin: “Interpol kundër Ndragheta-s. Ndragheta, sipas një studimi të profesorit shumë të njohur në Itali, Donato Masciandaro, pedagog i ekonomisë në Universitetin prestigjoz Boçoni të Milanos, ka një xhiro vjetore prej 55 miliardë euroësh, që është sa 5% e Prodhimit Bruto të Italisë.

Sipas përllogaritjeve të profesorit, aktiviteti kryesor i Ndragheta-s është trafiku i drogës, përmes së cilës ka një xhiro prej 27 miliard eurosh.

Vendin e dytë e zë pjesëmarrja në tendera publikë që kap shifrën e 6 miliardë eurove.

Shantazhi dhe fajdet janë gjithashtu një aferë e madhe që kap shifrën e 5 miliardëve, e më pas vjen trafiku i armëve me 3 miliard dhe prostitucioni po me afërsisht 3 miliard euro.

Ndragheta është një nga mafiet më të vjetra të Italisë dhe origjinën e emrit e ka nga greqishtja.

Kjo, pasi territory i Calabria-s është pjesë e asaj që quhet Magna Grecia, e ku ka një influencë të rëndësishme të kulturës helene.

Ndragheta ka lindur në vitet 1900, pra në fillim të shekullit 20, por studiuesit ndahen për etimiologjinë.

Ka teori që thonë që emërtimi vjen nga fjala “andragathía (ἀνδραγαθία)” që përkthehet: vlerë, zotësi, karakter xhentëlmeni”.

Por të tjerë thonë se ajo vjen nga fjala greke: andragatho, që do të thotë të bësh gjëra kurajoze dhe bujare.

Ndragheta, ndryshe nga Cosa Nostra, pra mafia siciliane, shtrihet në Calabri, një nga territoret më të varfra të jugut të Italisë.

Ajo ka mbetur e fortë edhe si pasojë e natyrës së saj shumë konservatorë të veprimit dhe përbërjes së saj, ku nuk ka lejuar degradimin, siç ka ndodhur me klanet e mafia-s siçiliane.

Aq e fortë është prezenca e Ndragheta-s në Calabri, sa që prej vdekjes së presidentes së Rajonit, Jole Santelli, tetorin e shkuar, rajoni nuk ka arritur të gjejë paqe për një drejtues.

Partitë politike të mëdha nuk kanë mundur dot të arrijnë një kompromis, pasi Ndragheta ka një forcë të madhe në territor.

Ndërtimi i Ndragheta-s është shumë i mbyllur, baza e saj janë ndrine, që janë celulat e vogla të cilat përbëhen nga njerëz të lidhur nga gjaku, pra një fis, të cilët më pas veprojnë mes tyre në hierarkinë e organizatës.

Antimafia italiane e ka pasur shumë të vështirë depërtimin brenda Ndragheta-s, pasi edhe kur ka pasur të penduar, ata ose kanë qenë fals, ose nuk kanë vlejtur.

Kjo ngaqë të penduarit, nëse do të arrinin të denonconin në shtet Ndragheta-n, do të duhej të dilnin kundër familjarëve të tyre të afërt.

Ndragheta, ndryshe nga Cosa Nostra, që ka dashur të bëjë bujë dhe u bë një nga trendet e jetës mondane në Amerikën e pas Luftës së Dytë Botërore, ka vepruar pa zhurmë.

Dhe bazën më të madhe përtej detit e ka jo në SHBA, por në Kanada, një vend ku Ndragheta nuk ka tërhequr asnjëherë zhurmë e vëmendje mediatike.

Me rrëzimin e komunizmit, Ndragheta ishte ndër të parat grupe të krimit të organizuar që u kthye në sipermarrje reale dhe u shpërnda në Europën Lindore.

Në Çeki dhe sidomos në Sllovaki, Ndragheta u shpërnda në biznesin bujqësor dhe agroturizëm.

Në vitin 2018, Ndragheta vrau gazetarin sllovak Ján Kuciak dhe të fejuarën e tij Martina Kušnírová, pasi publikoi një investigim të lidhjes së mafias kalabreze me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico.

Ndragheta vepron në qytetet porte më të mëdha të Europës si Hamburgu, Roterdami, Gioia del Tauro, Andverpen etj.

Gjatë viteve të postkomunizmit në Shqipëri, nga viti 1990, Ndragheta nuk ka pasur shumë prezencë në Shqipëri, pasi ndryshe nga puljezët e Sacra Corona Unita-s, apo edhe Camoras- napoletane dhe Cosa Nostra-s siçiliane, nuk u morën shumë me tregtinë e heroinës që vinte nga Shqipëria.

Ndragheta ka qenë tregtuesja më e rëndësishme e kokainës nga Amerika Latine në Europë, si në bashkëpunim me klanin e Medelinit të Escobarit, por edhe me atë të Cali-t.

Me rënien e këtyre karteleve, Ndragheta mori në dorë trafikun e kokainës, ku zë vendin e parë në Europë.

Në Itali, Ndragheta është përfshirë në politikë, edhe në Italinë e veriut, kryesisht në rajonin më të pasur e rëndësishëm të Lombardisë. Ku ka ndihmuar partitë e mëdha për të marrë vota tek njerëzit që kishin origjinë nga jugu i Italisë.

Përveç Kanadasë, Ndragheta është shumë e fuqishme edhe në Australi, ku natyrisht shfrytëzon trafikun e kokainës.

Në vitet e fundit, Ndragheta është zhvendosur shumë në Afrikën perëndimore, që është kthyer në një nga rrugët më të rëndësishme të narkotrafikut.

Senegali, Togo dhe Bregu i Fildishtë janë disa nga parajsat e ndrinave të Ndragheta-s.

Kjo mafia e fuqishme ka bashkëpunuar me klane të krimit të organizuar shqiptar, kryesisht për trafikun e qenieve njerëzore, kryesisht në fund të viteve 90 të shekullit të shkuar, kur vajza nga Lindja përdorën Shqipërinë si rrugë kalimi për të furnizuar shtëpitë e prostitucionit që kontrolloheshin nga ndrine-t e Ndragheta-s.

Ajo ka lidhje direkte me kartelet jugamerikane të Kolumbisë e të Meksikës.

Los Zetas është partneri më i rëndësishëm i Ndragheta-s në Meksikë, ku bëhet fjalë për trafik miliardash.

Bosi më legjendar i Ndragheta-s është Antonio Pelle, të cilin Roberto Saviano e ka cilësuar “King of Crime”./ Tema.al