Polonia “luan me bukë”, i bën thirrje Bidenit t’ia bllokojë gazsjellësin Gjermanisë - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

23/02/2021 10:26

Polonia “luan me bukë”, i bën thirrje Bidenit t’ia bllokojë gazsjellësin Gjermanisë

Lajme

Gazeta Express

23/02/2021 10:26

Ministri i Jashtëm i Polonisë, dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, që ta parandalojë përfundimin e ndërtimit të gazsjellësit “Nord Stream 2” nga Rusia në Gjermani, të cilin e quajtën projekt të rrezikshëm dhe përçarës.

Ndërtimi i këtij gazsjellësi do ta dëmtonte Ukrainën, sepse do ta linte pa taksat që merr nga gazsjellësit ekzistues që kalojnë transit nëpër territorin e saj, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

“Polonia dhe Ukraina për një kohë të gjatë kanë paralajmëruar kundër rreziqeve që lidhen me ndërtimin e Nord Stream 2. Thirrjet tona për syçeltësi dhe guxim janë dëgjuar në Kongresin e ShBA-së, që bëri trysni me masa të caktuara me qëllim të ndalimit të këtij projekti të rrezikshëm dhe përçarës”, thuhet në tekstin e përbashkët të dy diplomatëve.

“I bëjmë thirrje presidentit të ShBA-së, Joe Biden, që t’i përdorë të gjitha metodat që ka në dispozicion për ta parandaluar përfundimin e këtij projekti”, thanë ministrat e Polonisë dhe Ukrainës.

Për t’u përfunduar projekti, duhet të montohen gypat edhe për rreth 150 kilometra në ujërat gjermane dhe daneze në Detin Baltik. Gazsjellësi do të kontrollohet nga kompania shtetërore ruse, Gazprom. Pritet që me këtë gazsjellës të transportohen 100 miliardë metër kub të gazit natyror në vit nga Rusia në Gjermani.

Ndryshe, administrata e Bidenit më 19 shkurt vendosi sanksione shtesë ndaj një anije ruse dhe pronarit të saj për punën rreth ndërtimit të këtij gazsjellësi.

Ky qëndrim i Polonisë mund ta irritojë Gjermaninë, ku jetojnë miliona polakë. Sipas të dhënave të vitit 2018, në Gjermani kanë qenë duke jetuar mbi 2 milionë e 250 mijë polakë.