Politikanët në Shqipëri urojnë për muajin e Madhërishëm të Ramazanit - Gazeta Express
string(68) "politikanet-ne-shqiperi-urojne-per-muajin-e-madherishem-te-ramazanit"

Politikanët në Shqipëri urojnë për muajin e Madhërishëm të Ramazanit

Gazeta Express

23/04/2020 19:56

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë për Muajin e Shenjtë të Ramazanit.

Meta shprehet se duke shpresuar qe sakrificat që po bëjnë sot shqiptarët t’i afrojnë me njëri tjetrit.

Lexo Edhe:

Meta citon Profetin Muhamed duke thënë se vërtet, pas vështirësive vjen lehtësimi.

STATUSI I ILIR METËS
Të dashur motra dhe vëllezër,
Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë,

Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit, të lartësimit dhe pastrimit të shpirtit!
Agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, me mbarësi dhe begati të përhershme në familjet dhe vatrat tuaja!

Ditët e vështira që po kalojmë për shkak të pandemisë COVID-19, na kanë privuar sivjet nga përjetimi i namazeve në xhami dhe nga iftaret e përbashkëta, duke na detyruar që Ramazanin ta përjetojmë si sakrificë profetike me lutje drejtuar Zotit me veten dhe familjet tona.

Kemi detyrim të respektojmë një porosi profetike: “Nëse dëgjoni për ndonjë epidemi në një vend, mos shkoni atje, nëse ka epidemi në vendin ku ndodheni, mos u largoni. Ata që kanë sëmundje ngjitëse të qëndrojnë larg të tjerëve”.
Mos t’i harrojmë ajetet Kuranore dhe hadithet e Profetit Muhamed se “pa dyshim pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.”

Si asnjëherë tjetër me kurajo e solidaritet mbarëkombëtar ta përballojmë këtë sfidë të përbashkët dhe t’i gëzohemi lumturisë që na jep qëndrimi më shumë në shtëpi, pranë fëmijëve dhe prindërve tanë.

Le të lutemi së bashku, larg fizikisht por pranë njëri-tjetrit me shpirt e zemër, dhe le të rizgjojmë ndjenjat më të bukura, të pastrojmë ndërgjegjet, të pendohemi për gabimet tona dhe të ndezim shpresat për ditët më të mira që patjetër do të vijnë!

Për më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet! Sepse këto janë edhe mesazhet profetike që duhen përcjellë në këtë Muaj të Shenjtë.

Të reflektojmë me besimin në Zot, për të bërë ç’është e mundur, për pastrimin shpirtëror, moral e social të shoqërisë sonë, në veçanti të rinisë dhe familjes!

Të lutemi për heronjtë e ditëve tona, për mjekët dhe infermierët, që në vijën e parë të frontit janë duke luftuar çdo ditë për të mbrojtur shëndetin e secilit prej nesh. Por edhe për imamët e klerikët që aq shumë po përpiqen për të na ndihmuar në këto momente të vështira.

T’u gjendemi pranë prindërve, të moshuarve dhe të braktisurve, jetimëve dhe njerëzve në nevojë, të cilët më shumë se kurrë kanë nevojë për ne. Ashtu siç na porositin mësimet e Shenjta të ndajmë me ta të mirat dhe gëzimet tona, për t’u dhënë shpresë e për të çelur lumturinë në çdo zemër të përvuajtur nga dhimbjet, dëshpërimi e varfëria.

Një urim të veçantë kam sot për të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginë, Malësi dhe në diasporë, që Zoti t’u pranojë agjërimin, lutjet dhe veprat e tyre të mira, dhe që ky Muaj t’u sjellë begati, mirësi dhe paqe në familjet e tyre!

Sakrificat të na afrojnë më shumë zemrat dhe të na unifikojnë shpresën se ditë më të mira patjetër do të vijnë!

NGA MOT GËZUAR MUAJIN E MADHËRISHËM TË RAMAZANIT!

Mesazh urimi pati edhe kryeministri Edi Rama.

? NJË URIM PËR BESIMTARËT MUSLIMANË PËR MUAJIN E RAMAZANIT DHE NJË FALENDERIM I MEGJITHËZEMËRT KLERIT SHQIPTAR E PËR TË GJITHË BESIMTARËVE TË VENDIT TONË PA DALLIM????⛪️
Urimeve iu bashkuan edhe kreu i PD-se, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-se, Monika Kryemadhi.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha përmes një postimi në Facebook, shprehet se gjatë këtij muaji, sakrificës së agjërimit i shtohet edhe pamundësia për tu falur në xhamitë e mbyllura për shkak të pandemisë. Kreu i opozitës shpreson se sakrifica e agjëruesve gjatë këtij muaji shërbeftë për lehtësimin e dhimbjeve dhe sprovave me të cilat po përballen shqiptarët!

Një urim ka ardhur edhe nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

”Ndonëse në kushte të vështira prej pandemisë e distancimit fizik, uroj të mundësojë ky muaj i shenjtë më shumë lidhje shpirtërore me njëri-tjetrin, pasi ajo që kemi më së shumti nevojë dhe ajo që nuk mund të karantinohet kurrë është dashuria,” shprehet Kryemadhi në Facebook.

Edhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri uroi besimtarët myslimanë.

”Le të vijë muaji i Ramazanit me gëzim, ta përjetojmë me përulësi dhe të dalim prej tij me dhembshuri më të madhe për njëri-tjetrin”, shkruan Yuri Kim në Twitter.