Sot rreth orës 18:26, stacioni policor në Ferizaj është njoftuar se në Parkun e Lirisë në Ferizaj, një person i gjinisë mashkullore, rreth 31 vjeç, po tentonte t’i bënte keq vetes dhe dyshohej se kishte me vete një armë zjarri.
“Pas marrjes së informacionit, pjesëtarët e policisë të Qendrës së Komunikimit Rajonal kanë kontaktuar menjëherë me personin dhe kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm me të, me qëllim qetësimin e situatës dhe bindjen e tij që ta largonte armën dhe ta vendoste në një vend të sigurt deri në arritjen e patrullave policore”, vijon njoftimi i policisë.
“Në vendin e ngjarjes kanë reaguar menjëherë njësitet policore të stacionit policor në Ferizaj, të cilët kanë komunikuar me personin, kanë qetësuar situatën dhe kanë arritur ta largojnë armën e zjarrit (pistoletë), të cilën ai e kishte pranë vetes në një stol pushimi”.
“Falë komunikimit të vazhdueshëm të pjesëtarëve të Qendrës së Komunikimit Rajonal dhe reagimit të shpejtë të patrullave policore, personi është larguar me sukses nga zona e parkut dhe është vendosur në një vend të sigurt. Më pas, ai është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, ku i është ofruar edhe ndihma mjekësore dhe trajtimi i nevojshëm nga ekipi i Emergjencës.
Për rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe familjarët e personit.
Stacioni policor në Ferizaj, në bashkëpunim me Sektorin Rajonal të Hetimeve, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit, ndërsa ka konfiskuar armën e zjarrit së bashku me 6 fishekë.
Policia mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve dhe falënderon ekipet emergjente të Spitalit të Ferizajt për reagimin e shpejtë dhe trajtimin profesional në këtë rast”, përfundon njoftimi.