Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në Fushë Kosovë, ku kanë marrë pjesë edhe hetues nga Austria.
Autoritetet kosovare, me kërkesë nga autoritetet austriake, kanë zhvilluar hetime ndaj dy të dyshuarve për kryerjen e disa veprave penale në Vjenë.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e mbështetur edhe nga njësitë relevante policore ka zhvilluar hetimet bazuar ne autorizimin e lëshuar nga P. Th -Prishtinë , e cila është bazuar në kërkesën nga autoritetet Austriake përmes Ndihmës Juridike Ndërkombëtare – NJN, ndaj dy të dyshuarve meshkuj kosovarë nën dyshimin për kryerje të veprave të ndryshme penale në kryeqytetin e Austrisë – Vjenë. Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, me datën 05.05.2026 është zhvilluar një operacion policor ku janë realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në Fushë Kosovë në të cilin kanë marrë pjesë edhe hetues nga shteti i Austrisë”, thuhet në një njoftim të Policisë.
Policia thotë se “rasti vazhdon të mbetet nën hetim në drejtim të identifikimit të aseteve apo çfarëdo lloj dobie pasurore që mund të jetë në posedim të të dyshuarve dhe e cila dyshohet të jetë përfituar me aktivitet kriminal”.
“Ky angazhim konfirmon profesionalizmin dhe besueshmërinë e Policisë së Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar, duke forcuar luftën kundër krimit dhe sundimin e ligjit përtej kufijve”, thotë Policia e Kosovës.