Polici që u plagos në Zhur ka humbur njërin sy, në QKUK tregojnë për gjendjen e tij - Gazeta Express
string(85) "polici-qe-u-plagos-ne-zhur-ka-humbur-njerin-sy-ne-qkuk-tregojne-per-gjendjen-e-tij-85"

Polici që u plagos në Zhur ka humbur njërin sy, në QKUK tregojnë për gjendjen e tij

Gazeta Express

29/01/2020 21:29

Polici Artur Mrasori, i cili u lëndua mbrëmë në një aksion në Zhur të Prizrenit, po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Doktoresha Agreta Gecaj nga QKUK ka treguar për Gazetën Express se gjendja aktuale e përgjithshme e Mrasorit është stabile edhe pse e ka humbur syrin e majtë, ndërsa syrin e djathtë e ka të lënduar rëndë.

F. Gërguri

Lexo Edhe:

Një polic ka vdekur, e dy të tjerë janë lënduar mbrëmë gjatë një aksioni në një shtëpi në Zhur. Derisa Sami Thaqi është varrosur sot gjatë ditës, kolegu i tij, Artur Mrasori, është akoma në gjendje të rëndë.

Ai ka humbur një sy, e është në rrezik ta humb komplet shikimin. Agreta Gecaj nga reparti intensiv i  QKUK’së thotë se pacienti mund të trajtohet në QKUK dhe aktualisht nuk është e nevojshme të dërgohet jashtë vendit.

“Gjendja e Arturit është stabile. Pacienti e ka humbur syrin e majtë, ndërsa syrin e djathtë e ka të lënduar rëndë. Megjithatë duhet t’i bëhet përsëri një ekzaminim i syve”, ka thënë Gecaj për Gazetën Express.

E në emisionin Frontal të T7, deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se nëse do të ishte fjala për ndonjë familjar të pushtetarëve në vend, deri tani do të dërgohej për shërim jashtë vendit.

“Po të ishte Arturi familjar i ndonjë pushtetari, do të ishte gjetur mundësia të dërgohet jashtë për shërim. Unë kam kontaktuar me familjarët e tij, njihemi personalisht. Për pushtetarët QKUK’ja nuk është e denjë kur bëhet fjalë për familjarët e tyre apo për ta, nuk duhet t’i nënçmoj mjekët sepse bëjnë punë të mrekullueshme, por qeveria s’ka krijuar kushte për punë”, u shpreh Selimi.

Por, doktoresha Agreta Gecaj thotë se trajtimi i policit Mrasori mund të bëhet edhe në QKUK, dhe se nuk ka nevojë të dërgohet jashtë shtetit për mjekim.

“Ne asnjëherë nuk kemi thënë se ky pacient nuk mund të trajtohet në QKUK dhe aktualisht nuk është e nevojshme me çu jashtë vendit. Aktualisht gjendja e tij e përgjithshme është stabile dhe fokusi është në gjendjen e përgjithshme. E nëse gjendja e tij ndryshon për keq, atëherë mund të dërgohet jashtë vendit, mirëpo aktualisht trajtimi i tij mund të bëhet edhe në QKUK”, ka thënë Gecaj.

Ndërsa babai i policit Mrasori, Ganimet Mrasori, ka bërë thirrje që djali i tij të dërgohet jashtë shtetit duke thënë gjatë ditës për T7 se për t’u operuar Mrasori në sy duhet dërguar jashtë shtetit. 

“Gjendja ta këqyrim si mund të jetë, si mund të ketë një transferim diku jashtë me shku për shkak të shpëtimit të operimit në sy”, ka thënë Ganimet Mrasori./GazetaExpress/