POETI ME SHENJËN E LLAPIT - Gazeta Express
string(25) "poeti-me-shenjen-e-llapit"

POETI ME SHENJËN E LLAPIT

Gazeta Express

21/06/2020 11:16

(Recension për librin e Fadil Halimit “Ëndrra, shi dhe lule” SHB “Faik Konica”, 2020)

Nga Xheladin Rexhepi

Lexo Edhe:

Fadil Halimi është një poet me një verb të veçantë krijues. Ai i takon brezit të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Vjen prej nënqiellit të Llapit, si gjeografi e tokës dhe njeriut të formësuar si një hark ekzistencial, të lidhur këmbë e krye për tokën e vet.

Gurgullima e lumit Llap artistit ia ka falur muzën e të shprehurit letrar, me bukurinë, saktësinë, ritmin, harmoninë dhe emotivitetin e formësuar shprehës, si një lexim estetik që të bënë për vete në takimin e parë.

Poezi e disiplinës, saktësisë figurative dhe shumëkuptimësisë

Fadil Halimi shkruan rrallë. Shkruan vetëm atëherë kur i shkruhet. Atëherë kur përnjëmend ka për të thënë diçka, pa fshehur dot si ndrydhje shpirti apo blasfemi heshtjeje. Vargu i tij sublimon jetën përtej jetësh.

Poezia e Halimit dallon nga arketipi i motiveve libreske, pa gjak, pa imagjinatë dhe fabul. Kultivon një formë shprehëse poetike të lirshme, të dendur, si në aspektin motivues, ashtu edhe në metrikën e zgjedhur përtej skemave klasike. Ndonëse në aspektin gjuhësor i kuptueshëm,  i saktë, racional dhe me figurshmëri të organizuar me harmoni të disiplinuar. Ndërkohë ka arritur t’i asimilojë ndikimet e poezisë së plejadave më të hershme. Brumi i kësaj poezie është në kërkim të gjetjeve më të reja. Duke qenë përjashtues nga praktikat e artit hermetik, por pa rrezikuar të rrëshqasë në shprehje deklarative, parollizuese dhe entuziaste.

Mesazhi artistik i vargut të Halimit sikur thërret një lexues elitar, të kultivuar, që poezinë e ndjen dhe e dëshiron si një kënaqësi të domosdoshme shpirtërore, para së gjithash, sepse nuk mundet pa të, sikur nuk mundet pa oksigjen, pa tokë pa miq.

I vetëdijshëm për të qëndruar larg ndotjeve, egoiste, pezhorative, dukjeve narcisoide, dhe stisjeve bajate vetëm sa për të qenë i dukshëm në rrethet megalomane.

Ndonëse deri tash ka botuar vetëm një libër, poezia e Fadil Halimit rezulton një vlerë e pjekur mirë, apo “si një bukë saçi”, do të thosha, pa mëdyshje. 

(Poezi me shenja jete: Dashuri, luftë, ëndrra)

Poezia e Fadil Halimit ngërthen në vete motive, ekzistencialiste, ashtu si letërnjoftimi shpirtëror i njeriut të brigjeve të Llapit, me krajata, vuajtje, dhimbje, qëndresë dhe ëndërrime. E tërë kjo bëhet përmasë dhe vlerë poetike, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe universal.

Shtrirja e “narracionit” poetik, lidhjet figurative, format e shprehjes, përmes bukurisë së shkrimit, te Halimi, si poet i gjeografisë autoktone, ndërton parabola dhe filozofi me shkrirje të shumëkohshme. Të largëta si veprime njerëzore, por njëkohësisht, të afërta, të njohura dhe me plot dilema moderniteti.

Poezia e Fadil Halimit është e mbushur me metafora kuptimplote, si stinë e dashurisë për vendlindjen, të dashurën. Fëmijët…

Çdo sprovë për një analizë më të detajuar, të vë para dilemave të mëdha, sepse gjuha poetike, është aq e ngjeshur dhe shumëkuptimshme. Ajo kërkon rilexime të vazhdueshme.

/i mbyll dritaret e shpirtit/, e na i njomë faqet me lot/ poezia, “Stinë dashurie”.

Motivi i dashurisë në ketë poezi vjen si një “çelës zemre”, që shpesh përhumbet nëpër stuhi jete, nëpër tabu e paragjykime.

Mbase bëhet tepër vonë kur gjendet!/Në stacionin e fundit të jetës/ vetëm ata sy të turbullt t’i njoha/ në dritën e hënës/.

Apo e diela si ditë e shënuar e javës, nuk është vetëm orë e lutjeve për Zotin, çast reflektimi dhe ishull i mos harruar i dashurisë së njeriut për njeriun, por edhe një guacë ku mbyllet ironia, mosbesimi, shpirtngushtësia.  

/e diel do të jetë edhe nesër/, derisa të përfundojë ëndrra/, “E diela”.

Sytë blu të fëmijëve që i ngjajnë detit të trazuar, mund të jenë e ardhmja lakmuese, por edhe e sotshmja me drojën apokaliptike me trishtim dhe frikën, siç ishte Lufta e Kosovës. Vetmia si tjetërsim i njeriut modern. Apo ëndërr fluturuese, plot jetë e besim, a dilemë futuriste, pse nga qielli pikojnë plumbat e jo shiu…

Shpejt je rritur/ Vogëlushi im/ E s’mund të mbuloj/Me trup/Nga plumbat/ Dhe shiu që bie sixhim/ poezia “Plumba dhe shi bie, vogëlushi im”.

Poeti Fadil Halimi kultivon dhe lirikën subjektive, si një shpirt i çiltër dhe i ndjeshëm. Duhet dalluar gjithsesi në këtë dorëshkrim baladën për nënën.

/Afër teje, nanë/ Gjithnjë diçka e bukur ndodhte/ “Vendi i zbrazët i nanës”.

(E folmja si poetikë e intimes së fshehur…)

Dhe krejt në fund, poezia e Fadil Halimit është një e folme më tepër në vetën e parë, që nënkupton, shtrirje dhe reflektim shumëdimensional. Ajo meriton venerime nga kënde dhe qasje të ndryshme.

Duhet nënvizuar gjithsesi se shpesh herë poeti duke dashur të jetë sa më i kursyer në shprehje, sikur vargut ia zë frymën, dhe nuk e lë të zgjerohet spontanisht sa duhet dhe meriton. Prandaj, sikur bëhet poezi e vetcensuruar paarsyeshëm…

Fadil Halimi me librin “ËNDRRA, SHI DHE LULE”arsyeton pritjen e gjatë për botim, sepse lakmon vlerat e duhura. Krejt në fund: Libri është një prurje e re në fushën e poezisë moderne në Kosovë.