Tifozët e Atletico Madridit mund të përballen me një verë të gjatë dhe të pasigurt, jo vetëm për shkak të planeve të drejtorit sportiv Mateu Alemany, por edhe për shkak të spekulimeve të vazhdueshme rreth sulmuesit kryesor Julian Alvarez.
Interesi për Alvarezin është rritur ndjeshëm, me Barcelonën që nuk e fsheh dëshirën për ta sjellë atë si zëvendësues të Robert Lewandowskit.
Sipas raportimeve, Barcelona po pret që vetë Alvarezi të shprehë dëshirën për t’u larguar para se të bëjë një lëvizje konkrete për transferimin e tij.
Dy klube të tjera që përmenden shpesh në garë janë Paris Saint-Germaini dhe Arsenali.
Sipas gazetarit Gaston Edul, PSG-ja pritet të bëjë një përpjekje konkrete për ta transferuar Alvarezin këtë verë, duke qenë se interesi i tyre për të daton prej kohës kur ai ishte te Manchester City.
Raportohet se klubi francez kishte tentuar ta marrë edhe më herët, kur ai po largohej nga Manchester City, dhe tani synon të testojë mundësinë e një marrëveshjeje të re gjatë kësaj vere.
Nga ana e Atletico Madridit, qëndrimi zyrtar është se nuk janë të shqetësuar për të ardhmen e lojtarit, pasi ai ka kontratë deri në vitin 2030.
Klubi nuk ka ndërmend ta shesë dhe nëse ai dëshiron të qëndrojë, pritet t’i ofrohet një kontratë e re me rritje të ndjeshme page.
Megjithatë, nëse Alvarezi shpreh dëshirë për t’u larguar, Atletico do të preferonte ta shiste jashtë Spanjës, për të shmangur përforcimin e një rivali direkt si Barcelona.
Në këtë skenar, Arsenali dhe PSG-ja do të kishin një avantazh në garë, edhe pse ende nuk ka nisur një “betejë” zyrtare për nënshkrimin e tij dhe mbetet e paqartë nëse vetë Alvarez ka vendosur të largohet./GazetaExpress/