Përleshje, gjakosje e ndërhyrje kirurgjike, Federata vendos për përsëritjen e ndeshjes! - Gazeta Express
string(84) "perleshje-gjakosje-e-nderhyrje-kirurgjike-federata-vendos-per-perseritjen-e-ndeshjes"

Sporte tjera

Moral Pozhegu

08/04/2021 12:20

Përleshje, gjakosje e ndërhyrje kirurgjike, Federata vendos për përsëritjen e ndeshjes!

Sporte tjera

Moral Pozhegu

08/04/2021 12:20

Superliga e volejbollit është përlyer me gjak. Ndeshja ndërmjet Ulpianës dhe Skënderbeut, e zhvilluar javë më parë, është ndërprerë turpërisht pasi parketi u shndërrua në arenë boksi, ku nuk munguan përleshjet fizike, gjakosja, intervenimi i policisë dhe ndërhyrjet kirurgjike si pasojë e lëndimeve trupore. Pas gjithë këtij kaosi, Federata e Volejbollit çuditërisht ka vendosur që ndeshja të përsëritet

Është rikthyer dhuna në sportin kosovar.

Lexo Edhe:

Ndeshja e Superligës B të volejbollit kosovar, xhiroja e tretë, në mes të Ulpianës dhe Skënderbeut është shndërruar në arenë boksi në mes të të dyja palëve.

“Gazeta Express” ka arritur të sigurojë pamje ekskluzive nga përleshja që kishte ndodhur pak javë më parë në mes të dy taborëve, ku u përfshinë lojtarët dhe zyrtarët e të dyja klubeve nga Lipjani.

Situata eskaloi kur Ulpiana e barazoi rezultatin në 2-2 me sete.

Më pas, gjithçka që ndodhi s’ka lidhje me sport.

Skena të turpshme u panë në palestrën “Better Life” në Lipjan, ku pati përleshje, gjakosje dhe ndërhyrje kirurgjike, si rezultat i lëndimeve trupore.

Në bazë të këtyre videove shihet kapiteni i skuadrës së Skënderbeut, Astrit Shala, i cili afrohet tek banka rezervë e Ulpianës, me ç’rast fillon me fyerje në drejtim të tyre dhe me këtë rast filloi kaosi në parket.

Nga kjo përleshje, më i lënduari mbeti lojtari i Ulpianës, Leutrim Buzuku, i cili u detyrua të shkonte edhe në emergjencë, kurse më vonë iu desh t’i nënshtrohej edhe ndërhyrjes kirurgjike për shkak të frakturës së pësuar në trup.

Më pas, përleshja u ndal dhe ndeshja u ndërpre, derisa Policia e Kosovës mbërriti në palestër.

Një ditë pas ndeshjes, komisari i garave, Lulzim Gërguri vendosi që ndeshja të përsëritej, por pas ankesës së KV Ulpianës, rasti shkoi në Komision Disiplinor, i cili i dënoi protagonistët e përleshjes.

Pas kësaj u mblodh edhe Komisioni Disiplinor, i cili pasi i grumbulloi faktet dhe deklaratat nga të dy ekipet dhe gjyqtarët e ndeshjes, mori vendim që dy lojtarë të Skënderbeut, Liridon Dërnari të dënohet me tri ndeshje moslojë dhe Astrit Shala me dy, kurse lojtari i Ulpianës, Leutrim Buzuku me tri ndeshje moslojë.

Po ashtu, të dyja klubet u gjobitën me nga 100 euro, teksa ndeshja u vendos që të përsëritej.

Edhe Komisioni Disiplinor çuditërisht vendosi për përsëritjen e ndeshjes dhe Ulpiana e bëri një tjetër ankesë, atë në Shkallën e Dytë, respektivisht në Bordin e Federatës.

Bordi, nga ana e tij e konfirmoi vendimin e Komisionit Disiplinor, respektivisht ri-luajtjen e lojës.

Skënderbeu u pajtua me këtë vendim, kurse Ulpiana ishte kundër.

Madje, Ulpiana është e vendosur për të mos e zhvilluar këtë ndeshje pasi ndihet palë e dëmtuar dhe kërkon që kjo lojë të regjistrohet me rezultat zyrtar në favor të saj.

Të kontaktuar nga “Gazeta Express”, Komisioni Disiplinor ka sugjeruar që të kontaktohet Komisari i Garave, Lulzim Gërguri.

Ai i ka thënë “Expressit” se nga dëshmitë e marra, nuk ka konstatuar se njëri ekip ka qenë fajtor dhe për këtë arsye është marrë vendim që të përsëritet ndeshja.

Por, në raste normale, një ndeshje e tillë, ku ishte e pranishme dhuna fizike dhe psikike, me siguri se nuk do të ishte e logjikshme të përsëritet. /Gazeta Express/