PD: Kompania e dekoderave fiton tenderin ‘sekret’ të qeverisë për respiratorët - Gazeta Express
string(75) "pd-kompania-e-dekoderave-fiton-tenderin-sekret-te-qeverise-per-respiratoret"

Gazeta Express

07/04/2020 13:19

PD: Kompania e dekoderave fiton tenderin ‘sekret’ të qeverisë për respiratorët

Gazeta Express

07/04/2020 13:19

Partia Demokratike vijon të denoncojë tenderat urgjentë të qeverisë në kohën e koronavirusit. Pasi denoncoi se një kompani kompjuterësh fitoi tenderin 1.5 mln euro për pakot ushqimore, PD zbuloi se qeveria ka kryer dhe 4 tendera të tjerë, të cilat i ka klasifikuar si ‘sekret shtetëror’.

Tenderat në fjalë, të cilat kanë të bëjnë me mjetet mbrojtëse për stafin mjekësor, kitet për laboratorin e QSUT-së, mbetjet spitalore të pacientëve me Covid-19 dhe së fundmi respiratorët, janë bërë në mënyrë urgjente sipas PD-së dhe në një formë plotësisht jotransparence.

Lexo Edhe:

Por PD thotë se ka zbuluar se njëra prej kompanive që ka fituar tenderin, konkretisht atë të respiratorëve (mjete jetike që nevojiten për të prekurit me koronavirus), është në fakt një kompani që shet dekodera për televizorët.

“Ajo që tërheq vëmendjen nga shpallja e fituesve është se kompani pa përvojë paracaktohen për të përfituar nga epidemia. Njësoj si në rastin e kompanisë maqedonase të kompjuterave që mori tenderin e ushqimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, edhe në tenderin e klasifikuar sekret të Ministrisë së Shëndetësië ka fituar një kompani antenash televizive.

“TBS 96” është e njëjta kompani që u përdor për shitjen e dekoderave për qytetarët me përkrahje sociale dhe që vetëm para pak kohësh ka shtuar si aktivitet të saj materialet dhe pajisjet mjekësore.

Nëse qeveria këmbëngul të mbajë sekret një aferë duke mos lejuar transparencën, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SPAK-u e kanë për detyrë të bëjnë transparencë.”-deklaroi ish deputeti i PD-së Alibeaj.

Deklarata:

Sa herë qeveria kapet në shkelje të ligjit, ajo fshihet pas heshtjes apo sulmeve politike. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë reagim për 4 tenderat e klasifikuar “sekret” në kundërshtim me ligjin. Këta tendera nuk kanë lidhje me sigurinë kombëtare. Blerja e mjeteve mbrojtëse për mjekët, pasi u zbulua skandali i maskave të skaduar, e aparateve respiratorë dhe e kiteve për testim gati 1 muaj pas identifikimit të rastit të parë me COVID 19 është bërë me procedure sekrete. Duket e pabesueshme por me procedurë “sekret shtetëror” është bërë edhe tenderi për trajtimin e mbetjeve spitalore. Pse janë klasifikuar sekret shtetëror këto tendera? Cfarë fshihet pas tyre? Në vend që të bëjë transparencë, qeveria hesht.

Edi Rama ka urdhëruar të mbahet sekret informacioni se sa lekë u harxhuan për tenderat urgjentë të Ministrisë së Shëndetësisë, si u përzgjodhën kompanitë fituese apo çfarë ofertash bënë ato. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë sesi po i përdor qeveria paratë e tyre, nëse këto para po përdoren mirë apo nëse me to po abuzohet. Pyetjet që kërkojnë përgjigje nga Edi Rama janë pyetje që i bën çdo qytetar që kërkon transparencë nga qeveria e tij.

1. Pse Edi Rama nuk lejon të bëhen transparente procedurat për 4 tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë?

2. Sa është vlera e tenderave të shpallur sekret dhe kush ka paraqitur oferta?

3. Ku e cënon sigurinë kombëtare transparenca për blerjen e respiratorëve, të kiteve për  testim, të mjeteve mbrojtëse për stafin shëndetësor apo kush do të trajtojë mbetjet spitalore.

Shpallja sekret e 4 tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë është e paligjshme. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë çfarë fshihet pas procedurave që, padrejtësisht, mbahen sekret. Ajo që tërheq vëmendjen nga shpallja e fituesve është se kompani pa përvojë paracaktohen për të përfituar nga epidemia. Njësoj si në rastin e kompanisë maqedonase të kompjuterave që mori tenderin e ushqimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, edhe në tenderin e klasifikuar sekret të Ministrisë së Shëndetësië ka fituar një kompani antenash televizive.

“TBS 96” është e njëjta kompani që u përdor për shitjen e dekoderave për qytetarët me përkrahje sociale dhe që vetëm para pak kohësh ka shtuar si aktivitet të saj materialet dhe pajisjet mjekësore.

Nëse qeveria këmbëngul të mbajë sekret një aferë duke mos lejuar transparencën, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SPAK-u e kanë për detyrë të bëjnë transparencë. Ato duhet të verifikojnë, të hetojnë dhe të çojnë para drejtësisë këdo që vjedh paratë e shqiptarëve në ditën më të vështirë. Për SPAK-un e sapokrijuar për të luftuar korrupsionin është e pafalshme heshtja apo infektimi nga virusi i kontrollit prej kryeministrit.