Policia ka dalë me detaje të reja për aksidentin e sotëm në Doberllukë të Vushtrrisë, ku u përfshinë tri automjete dhe u lënduan gjashtë persona, fatkeqësisht një 74-vjeçar ka humbur jetën.
Policia informon se trupi i pajetë i viktimës, mashkull i moshës 74-vjeçare, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Njoftimi i plotë i policisë:
Sot, më datë 18.05.2026, rreth orës 11:50, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime.
Në aksident kanë qenë të përfshira tri automjete me targa civile-vendore, ndërsa gjashtë persona të lënduar në këtë aksident janë dërguar fillimisht në emergjencën e spitalit në Vushtrri. Njëri nga drejtuesit e automjeteve ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Pas marrjes së ndihmës së parë, personat e lënduar janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.
Rreth orës 14:00, nga mjeku është konfirmuar se, si pasojë e lëndimeve të pësuara, personi me lëndime të rënda ka humbur jetën.
Trupi i pajetë i viktimës, mashkull i moshës 74-vjeçare, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetuesit e aksidenteve të trafikut do të vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.