Pacolli kërkon lirimin e shtetasit kosovar që u ndalua në Merdare nga autoritetet serbe - Gazeta Express
string(87) "pacolli-kerkon-lirimin-e-shtetasit-kosovar-qe-u-ndalua-ne-merdare-nga-autoritetet-serbe"

Pacolli kërkon lirimin e shtetasit kosovar që u ndalua në Merdare nga autoritetet serbe

Gazeta Express

04/01/2020 10:17

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar pas arrestimit të kosovarit, Nezir Mehmetaj, i cili u ndalua në Merdare nga policia serbe, derisa po e dërgonte nënën e tij për analiza në Beograd, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka thënë se zyra ndërlidhëse në Beograd do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.

Lexo Edhe:

“Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli ka thënë se Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe se duhet menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike.

“Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare “Merdare”.

Neziri jeton që 25 vite në Zvicër, dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak që nëna e tij ishte e sëmurë, ai kishte shkuar në Beograd, për t’ia bërë analizat.

Teksa po kthehej në Kosovë, ishte ndaluar në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’.

Familja e Nezir Mehmetajt, ka apeluar të institucionet e vendit që të ndërmarrin masa që të kuptohet arsyeja e ndalimit të Nezirit. /Gazeta Express