Rrëfimi i tij të krijon përshtypjen se është i shkëputur nga një skenar i një filmi. Një rrëfim emocionues, por edhe një histori suksesi, i cili po ashtu të inspiron dhe të tregon se nuk duhet dorëzuar asnjëherë për të arritur qëllimet dhe ëndrrat e tua në jetë – pavarësisht sfidave që mund të keni.
Çdo sportist e ka një moment që e formëson karakterin, që e dallon nga sportistët tjerë.
Për Lamb Autrey – basketbollist i Prishtinës – ai moment nuk ndodhi në një fushë basketbolli, por nisi nga puna e tij në një supermarket, në dyshemenë e tij.
Për vite me radhë, ai punoi në një nga supermarketet më të mëdha në ShBA, madje me ndërrime që zgjatnin deri në 15 orë.
Një rutinë që do t’i thyente shumicën e njerëzve, por për të, ajo ishte ‘stërvitja’ më e rëndësishme e jetës.
Në një intervistë ekskluzive me Gazeta Express, Lamb Autrey tregon detaje nga jeta e tij – qysh nga puna e tij në Amerikë, kontrata e parë profesionale dhe adaptimi i tij në Kosovë.
Ai ka folur për të gjitha, duke mos kursyer detaje nga ky rrugëtim i jashtëzakonshëm i tij.
Më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të gjatë e të plotë, me përgjigjet e tij përplot emocionuese dhe duke mos i harruar edhe këshillat drejt sportistëve të rinj që përballen me sfidat e tij.
Çka të mbajti të motivuar gjatë punës si punëtor supermarketi, madje me orare të stërgjatura deri në 15 orë?: “Zoti, besimi, familja dhe vullneti për ta kthyer ëndrrën që e kisha që në moshën 4-vjeçare në realitet. Doja të isha një frymëzim për të gjithë që të mos heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre. Zoti ka një plan për secilin prej nesh. Kur gjërat bëhen të vështira, është thjesht një provë për të parë sa shumë e duam vërtet atë që themi se duam në jetë”.
Balancimi mes punës dhe basketbollit: “Sigurisht, një nga sfidat më të mëdha ishte të gjeja forcën për të shkuar në stërvitje pas ndërrimeve 12-orëshe në punë – ndonjëherë edhe 15-orëshe. Do të isha aq i lodhur sa doja vetëm të shkoja në shtëpi e të flija, por pastaj mendoja për atë ku doja me të vërtetë të isha: duke luajtur jashtë vendit. Dija që nuk mund të përballoja të humbja asnjë ditë. Doja të isha më shumë se gati, nëse do të vinte ndonjëherë ajo telefonatë me mundësinë për të luajtur. Gjatë stërvitjeve mendoja vetëm për këtë, që të shtyja veten më tej. Nuk doja të ndihesha sikur dikush tjetër po punonte më shumë se unë – ndaj e shtyja veten pa asnjë justifikim. Doja të isha më shumë se vetëm një hap përpara”.
Momenti i kuptimit se do të arrije larg në basketboll?: “Në moshën 4-vjeçare, e bëra si detyrë të jetës sime t’ia kushtoja gjithçka basketbollit. Gjithmonë isha shumë përpara fëmijëve të moshës sime sepse kisha një vëlla më të madh, i cili më lejonte të luaja vetëm me fëmijë shumë më të mëdhenj se unë. Kjo bëri që të spikasja që në moshë të vogël. Fitoja vëmendje që herët dhe ajo ndjesi më shtynte të punoja fort çdo ditë. Ajo disiplinë e punës më qëndroi gjatë gjithë jetës. Kur u rrita dhe hyra në gjimnaz e më pas në kolegj, ajo vëmendje u shtua edhe më shumë – dhe aty kuptova se ajo ëndërr që kisha shkruar dikur në ditarin tim po bëhej realitet”.
Arsyet e mosdorëzimit, çka të bëri të fortë?: “Zoti im dhe Shpëtimtari im, Jezu Krishti, më dha forcën për të vazhduar. Së bashku me familjen time që më inkurajonte e më mbështeste vazhdimisht. Është njerëzore që ndonjëherë të ndihesh i lodhur apo i rrëzuar kur jeta bëhet e vështirë. Prandaj është kaq e rëndësishme të jesh i rrethuar nga njerëz që të duan vërtet dhe duan më të mirën për ty. Ata nuk të lejojnë të dorëzohesh. Të shtyjnë drejt madhështisë – dhe kjo është pikërisht ajo që familja ime bëri për mua. Shpesh reflektoja mbi gjithë punën që kisha bërë për të arritur deri aty dhe i thoja vetes: ‘Nuk ka asnjë shans që të dorëzohem tani’. Ia detyroja vetes të vazhdoja. Nuk mund të lejoja një pengesë të më ndalte. Doja të isha shembull për fëmijët e mi, për familjen time dhe për të tjerët – se me mendësinë e duhur mund të kapërcejmë çdo gjë”.
Si të formësuan si basketbollist ato orë të gjata të punës në supermarket?: “Ky rrugëtim më mësoi shumë. Më forcoi besimin në mënyrë të jashtëzakonshme. Më mësoi durimin. Nuk e marr asgjë si të mirëqenë, as si njeri, as si sportist. Jam falënderues dhe mirënjohës për çdo mundësi që më është dhënë. Si sportist, jap gjithçka në fushë. Kur luaj, luaj me pasion sepse e di ndjesinë e të dëshiruari diçka me gjithë shpirt dhe të mos e kesh. Tani që e kam, nuk e marr si të lehtë. Garoj çdo ditë – nga stërvitjet deri te ndeshjet. Dua të fitoj. Dua që njerëzit ta shohin dashurinë dhe pasionin që kam për lojën. Çdo ditë mundohem të bëhem më i mirë, duke kaluar orë shtesë në fushë, në palestër, kudo që mund të më ndihmojë ta zgjas këtë ëndërr sa më shumë të jetë e mundur. E di që një ditë do të lidhi këpucët për herë të fundit, dhe kur ta bëj, nuk dua të kem asnjë pendesë – dua të shikoj pas me krenari për atë që arrita dhe për faktin që nuk u dorëzova kurrë”.
Si t’u ofrua mundësia e parë profesionale në basketboll?: “Kisha një ditë pushim nga puna, thjesht po çlodhesha me familjen time, kur mora një telefonatë nga një numër i panjohur. Unë zakonisht nuk i përgjigjem atyre lloj telefonatash, ndaj e injorova. I njëjti numër më thirri përsëri… përsëri e injorova. Pastaj më thirri për herë të tretë, ndaj u përgjigja. Ishte shoku im i ekipit nga koha e universitetit, para 3 vitesh. Më tha se po punonte me një agjent dhe donte të dinte nëse ende luaja basketboll. I thashë se nuk kisha luajtur basketboll të organizuar konkurrues për 2 vjet. Thjesht isha stërvitur vetë dhe luaja ndeshje të hapura në palestër. Më pyeti: ‘A mund të luash ende siç luaje në universitet?’ I thashë se tani jam më i mirë. Menjëherë ai dhe agjenti gjetën një kontratë për mua që të shkoja për provë në një ekip në Sllovaki (Iskra Svit). Kisha pak më shumë se një javë kohë për t’u nisur. Në atë kohë, gruaja ime (nuk jemi më të martuar) sapo kishte zbuluar se ishte shtatzënë. Kështu që tani kisha edhe më shumë motivim për të arritur sukses, që të mund të kujdesesha për familjen time.
Atë javë para se të nisesha, e kalova çdo ditë dhe natë në palestër, duke u përgatitur në formë të jashtëzakonshme. E dija që kjo do të ishte gjëja kryesore që do të më dallonte nga të tjerët kur të shkoja në Sllovaki. Shkova në Sllovaki, u bëra pjesë e ekipit si playmaker titullar. Fatkeqësisht, një ditë para ndeshjes, pësova një dëmtim të keq në kyçin e këmbës që, sipas mjekëve, mund të më mbante jashtë për një muaj. Ekipi nuk donte të priste aq gjatë, ndaj më larguan. I kërkova disa ditë që të rrija, ndoshta mund të gjeja një ekip tjetër. E dija që nëse kthehesha në shtëpi, do të ishte e vështirë të shkoja përsëri jashtë. Ata pranuan kërkesën time.
Gjatë asaj kohe, kisha çelësat e palestrës, kështu që çdo ditë pas stërvitjes së ekipit, shkoja vetëm në palestër dhe kërkoja mënyra për të luajtur edhe me kyçin e dëmtuar. Pas disa ditësh, mora një telefonatë nga një ekip në Republikën Çeke (Jindřichův Hradec), që më pyeti nëse mund të vija për provë, sepse lojtari i tyre ishte lënduar dhe kishin nevojë urgjente për një playmaker për një turne që fillonte të nesërmen. Agjenti më pyeti nëse isha në gjendje të luaja. I thashë të mos përmendte asgjë për dëmtimin tim. I tregova se kjo mund të ishte mundësia e fundit dhe do të gjeja mënyrën për të luajtur.
Të nesërmen udhëtuam nga Sllovakia në Republikën Çeke. Arrita atje, trajneri më dha librin me skemat e lojës dhe më tha t’i studioja shpejt. Më tha: ‘E di që je i lodhur nga udhëtimi, por të lutem mos fli’, pasi kishim ndeshje pas disa orësh. Studiova skemat, shkova në palestër, i bëra një lutje Zotit që të më jepte forcë, dhe dola të luaja. Fituam turneun. Fitova çmimin MVP të turneut dhe nënshkrova kontratën po atë ditë. Më pas fitova çmimet: ‘Lojtari i vitit’, ‘Atleti i vitit’, ‘Lojtari i huaj i vitit’ dhe ‘MVP i ligës’!”.
Sfidat më të mëdha që je përballur në fillimet e karrierës?: “Sinqerisht, sfida më e madhe ishte të isha larg familjes. E dija që të luaja profesionalisht ishte ajo që doja, dhe kjo nënkuptonte që duhej bërë një sakrificë. Në atë kohë, kontrata ime e parë profesionale ishte vetëm 1000 dollarë në muaj dhe unë dërgoja 800 dollarë në shtëpi për familjen. Pra, jetoja me vetëm 200 dollarë në muaj. Nuk ishte aspak e lehtë, por e dija që duhej të filloja diku për të arritur aty ku vërtet doja të isha”.
Ku e gjeje frymëzimin dhe mbështetjën gjatë këtij rrugëtimi?: Frymëzimi dhe mbështetja më e madhe për mua kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë Jezu Krishti dhe familja ime. Kaq më ka mjaftuar gjithmonë në jetë.
Këshillat e tua për të rinjtë që ëndërrojnë të luajnë si profesionist: “Do t’u thoja të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Të pranojnë sfidën, sepse shpërblimi në fund është shumë më i madh nëse vazhdojnë të luftojnë për atë që duan. Shpërblimi merr shumë më tepër vlerë kur e di që ke luftuar për ta arritur. Të mbajnë besimin lart, të qëndrojnë pozitivë! Kohët e vështira nuk zgjasin përgjithmonë… por njerëzit e fortë po!”.
Përshtypja e parë e Kosovës dhe kulturës në basketboll: “Këta njerëz janë plot pasion! Tifozët dhe atmosfera gjatë ndeshjeve janë të mrekullueshme! Më bëjnë si lojtar të ndiej që nuk po luaj vetëm për emrin e ekipit, por edhe për vendin! Është një ndjenjë e jashtëzakonshme!”.
Mikpritja në Kosovë: “Mikpritja ka qenë përtej çdo pritshmërie. Të gjithë këtu kanë qenë shumë të sjellshëm, miqësorë dhe me energji pozitive. Më tregojnë shumë dashuri si në fushë ashtu edhe jashtë saj, dhe jam shumë mirënjohës për këtë. Sigurohem që edhe unë t’u jap dashuri atyre. Nuk është gjithmonë e lehtë të jesh në një vend krejt të ri pa njohur askënd. Megjithatë, edhe pse jam këtu vetëm prej 2 muajsh, ndihem sikur kam qenë shumë më gjatë, për shkak të mënyrës si më kanë bërë të ndihem”.
Çka të befasoi nga përvoja juaj fillestare në Kosovë?: “Sa lirë është gjithçka këtu, hahaha. Shkova në një steakhouse që quhej “Sarajeva Steakhouse” kur sapo kisha mbërritur në Kosovë. Mendoja: ‘Ok, është steakhouse, pra duhet të jetë mjaft e shtrenjtë’. Hapa menunë dhe sinqerisht pyeta nëse çmimet ishin të vërteta. Nuk mund ta besoja sa të lira ishin! Pastaj shkova në restorante të tjera dhe kuptova që vërtet këtu është shumë lirë për të ngrënë jashtë. Ushqim me cilësi shumë të mirë gjithashtu. Duke ardhur nga Amerika, ku gjithçka është e shtrenjtë, u shokova. Kështu që po, as nuk gatuaj – thjesht dal jashtë për të ngrënë. Gjithashtu, njerëzit këtu më befasuan shumë. Sa të mirë e mikpritës janë, ishte vërtet e papritur. Më pëlqen shumë këtu!”./GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...