string(98) "nga-endrra-e-jusufit-te-misioni-i-butrintit-ferizaj-ne-kerkim-te-lavdise-ne-ligen-gjergj-kastrioti"

Sporte tjera

Endrit Jashari

05/02/2025 15:57

Nga ëndrra e Jusufit te misioni i Butrintit: Ferizaj në kërkim të lavdisë në Ligën “Gjergj Kastrioti”

Sporte tjera

Endrit Jashari

05/02/2025 15:57

KV Ferizaj është një emër i madh në volejbollin kosovar, një ekip konkurrues viteve të fundit dhe që tani ndodhet përballë një gare që nuk ka arritur ta fitojë më herët. Pasi u shpall kampion i Kosovës në sezonin 2019/20, fitoi Kupën e Kosovës në vitin 2020 dhe dy herë Kupën e Federatës, ky ekip është në kërkim të një trofeu tjetër, këtë herë në një arenë më të gjerë – Ligën “Gjergj Kastrioti”, garë që bënë bashkë ekipet nga Kosova dhe Shqipëria. 

Por ky rrugëtim ka edhe një dimension emocional dhe personal të thellë. Butrint Bytyçi, i cili dikur ishte lojtar kyç i skuadrës dhe kapiteni i saj që nga rikthimi, tani është trajneri kryesor dhe ka një mision të veçantë – të çojë Ferizajn drejt një tjetër trofeu të madh. Historia bëhet edhe më e ndjeshme kur kujtojmë se babai i tij, Jusuf Bytyçi ishte themelues i klubit, duke e drejtuar me përkushtim për vite me radhë, por pa mundur të fitojë trofe madhorë. 

E lidhur me këtë, Butrinti në një intervistë për Gazetën Express tha se përpiqet vazhdimisht ta nderojë në maksimum kujtimin për babain e tij.

“Të jem trajner i Ferizajt, një klub që babai im e ka themeluar dhe e ka drejtuar për kaq shumë vite, është një ndjenjë e papërshkrueshme. Për mua, është një nder dhe një përgjegjësi e madhe, sepse pasardhësit e tij po vazhdojnë këtë rrugë. Kur ai ishte trajner, la një trashëgimi të madhe, dhe unë ndihem i nderuar që vazhdoj punën e tij dhe përpiqem të bëj gjithçka për të nderuar kujtimin e tij. Përsa i përket rolit të trajnerit, kalova në këtë pozicion pasi lëndimi që pata më pamundësoi të luaj, por gjithsesi jam shumë krenar që udhëheq një ekip me lojtarë të mrekullueshëm”, tha ai.

Pas ndarjes së babait të tij nga jeta, Butrinti mori përsipër të vazhdonte rrugën e tij. Fillimisht si lojtar, ai ndihmoi skuadrën të fitonte disa trofe të mëdhenj, duke i dhuruar ekipit suksese që Jusufi nuk pati mundësinë t’i përjetonte. Si kapiten i ekipit, ai u bë lider në fushë, duke ndihmuar në ndërtimin e një mentaliteti fitues te skuadra. Tani, në rolin e trajnerit, Butrinti ka një mundësi edhe më të madhe: të udhëheqë Ferizajn drejt triumfit në një garë mbarëkombëtare, duke realizuar ëndrrën e babait të tij. 

“Pa dyshim, ndjej një përgjegjësi të madhe. Babai im ka bërë shumë për këtë klub, dhe është një presion i natyrshëm që ndjehet kur po e udhëtoj me ekipin. Unë e di që kjo është një mundësi e madhe për të arritur atë që ai nuk mundi ta arrinte, dhe kjo më jep motivim, por gjithashtu është një angazhim i madh. E kuptoj që nuk mund ta bëj këtë vetëm për vete, por edhe për të nderuar trashëgiminë e tij”, u shpreh Butrinti.

Sfida me Partizanin: Pika vendimtare e turneut

Me 1 mars, KV Ferizaj do të përballet me Partizanin e Tiranës, kampionin e Shqipërisë, në një gjysmëfinale që premton spektakël. Përballja mes dy ekipeve më të forta aktualisht të Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë një test i vërtetë për Ferizajn.

E trajneri i Ferizajt tha se ekipi i tij ka kapacitetin për ta mposhtur Partizanin dhe për ta arritur finalen, sidomos me transferimet e fundit.

“Ndeshja me Partizanin në Ligën ‘Gjergj Kastrioti’ është një mundësi e jashtëzakonshme për ekipin tonë. Partizani është një ekip shumë i fortë dhe ka arritur shumë suksese, por unë besoj se kemi mundësinë të bëjmë një ndeshje të madhe dhe plot emocione. Duhet të jemi të përqendruar, të luajmë me zemër dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi që na vjen. Pavarësisht sfidës që paraqet, unë besoj se ekipi ka kapacitetin për të arritur një rezultat pozitiv, duke pasur parasysh se kemi transferuar lojtarë të huaj cilësorë në radhët tona”, ishin fjalët e kryetrajnerit të Ferizajt.

Nëse Ferizaj arrin të kalojë këtë sfidë të madhe, atëherë me 2 mars, ata do të luajnë në finalen e madhe të Ligës “Gjergj Kastrioti”, ku do të synojnë një tjetër trofe historik. 

Për Butrint Bytyçin, kjo finale nuk do të ishte thjesht një tjetër ndeshje e rëndësishme, por një mundësi për të vulosur trashëgiminë e familjes së tij në volejbollin shqiptar. Nga ëndrra e nisur nga babai i tij, deri te sukseset e tij si lojtar, kapiten dhe tani si trajner, Butrinti ka ndërtuar një histori të veçantë brenda KV Ferizajt. 

Gara në kampionatin e Kosovës

KV Ferizajt po i shkojnë punët mjaft mirë edhe në kampionatin e Kosovës.

Pas përfundimit të stinorit vjeshtor, KV Ferizaj po prin në renditjen tabelare dhe është pretendenti kryesor për ta fituar titullin e parë pas pesë viteve.

E optimist shprehet edhe Butrinti që thotë se titulli i kampionit është objektivi i tyre këtë sezon në Superligën A të Kosovës në volejboll.

“Do të thosha se po, besoj se jemi në rrugën e duhur. Pjesa e parë e sezonit ka qenë shumë pozitive dhe ekipi po punon shumë për të arritur objektivat tona. Sigurisht që titulli është një qëllim i madh, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mbajmë fokusin deri në fund të sezonit. Po punojmë shumë për këtë dhe shpresoj se do të arrijmë të sjellim titullin në Ferizaj përsëri”, përfundoi Bytyçi.

/Gazeta Express/