Mesfushori i Paris Saint-Germainit, Joao Neves, u shfaq krenar dhe i emocionuar pas kualifikimit të skuadrës franceze në finalen e Ligëssë Kampionëve, duke e theksuar forcën kolektive dhe mentalitetin që ekipi e ka ndërtuar gjatë sezonit.
PSG-ja e siguroi finalen pas barazimit 1-1 ndaj Bayern Munichut në “Allianz Arena”, rezultat që u kombinua me fitoren spektakolare 5-4 në takimin e parë.
Francezët do të përballen me Arsenalin në finalen e madhe të 30 majit në Budapest.
Pas ndeshjes, Neves foli për “Canal+”, duke vlerësuar e frymën e grupit dhe sakrificën që lojtarët po e tregojnë në çdo sfidë, përcjell “Gazeta Express”.
“Jemi krenarë për atë që po e ndërtojmë. Të gjithë në këtë skuadër janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ekipin”, deklaroi mesfushori portugez.
Ish-lojtari i Benficas theksoi se një nga sekretet kryesore të suksesit të PSG-së këtë sezon është uniteti dhe përkushtimi i plotë i çdo futbollisti, pavarësisht rolit individual.
“Kur një skuadër luan si grup dhe të gjithë sakrifikohen për njëri-tjetrin, atëherë bëhesh më i fortë në momentet vendimtare”, u shpreh ai.
Neves gjithashtu e lavdëroi mentalitetin e krijuar nga Luis Enrique, trajner që sipas tij ka arritur ta ndërtojë një skuadër shumë më kompakte dhe më të uritur për sukses.
Kualifikimi në finale e konfirmon rritjen e vazhdueshme të PSG-së në arenën evropiane.
Për parisienët kjo është finalja e tretë në histori në Champions League dhe e dyta radhazi, ndërsa objektivi i madh tashmë është mbrojtja e trofeut të fituar sezonin e kaluar. /Gazeta Express