Nënshkruhet marrëveshja për organizimin e Kupës së Kosovës, premtohet festë e basketbollit në Rahovec - Gazeta Express
string(100) "nenshkruhet-marreveshja-per-organizimin-e-kupes-se-kosoves-premtohet-feste-e-basketbollit-ne-rahovec"

Nënshkruhet marrëveshja për organizimin e Kupës së Kosovës, premtohet festë e basketbollit në Rahovec

Sport

Gazeta Express

06/02/2023 17:08

Në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) është organizuar konferenca për media lidhur me Final 8 Kupës së Kosovës.

Kjo ngjarje do të organizohet në Rahovec nga 15 deri më 19 shkurt, ku do të garojnë tetë klubet e elitës së meshkujve, finalja e femrave, si dhe katër klubet më të mira të Ligës së Parë të Meshkujve.

Lexo Edhe:

Adriatik Rraci, Menaxher i Përfaqësueseve të Kosovës në FBK është shprehur se, FBK do të ndihmojë klubin organizator dhe do të bëjnë çmos që ky event të jetë spektakël i basketbollit.

“Stafi i FBK-së edhe kësaj radhe do të ndihmoj klubin organizator dhe do të bëjnë përpjekje maksimale që kjo ngjarje e basketbollit të jetë spektakël, ashtu siç i ka hije Kupës së Kosovës, një event shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës. Ne (FBK) jemi të nderuar që ky organizim do të mbahet në Rahovec dhe besojmë se do të organizohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Rraci në konferencën për media.

Ndërkohë, Adrian Sharku, përfaqësuesi i Rahoveci ka theksuar se, nga 15 deri më 19 shkurt do të zhvillohet spektakël i basketbollit. “Kjo është hera e tretë që organizojmë Final 8 në pesë vite dhe ky është nder e privilegj për ne. Kësaj radhe do të mbahet edhe përgjatë Festës së Pavarësisë së Kosovës, duke e madhështuar edhe më shumë këtë ngjarje. Ne i ftojmë tifozët nga të gjitha qytetet që të vijnë dhe të shijojnë festën e basketbollit. Kemi traditë mikpritjen dhe besojmë se, do të jetë një festë e basketbollit nga 15 deri më 19 shkurt”, ka deklaruar Sharku, duke zbuluar edhe logon e kësaj ngjarje, që simbolizon qytetin e Rahovecit, tetë klubet pjesëmarrëse dhe flamurin e Kosovës. 

Ai shtoi se shumë shpejt do të publikohen edhe çmimet e biletave për Final 8.

Në fund u nënshkrua marrëveshja mes dy palëve.

ORARI-TERMINET NDESHJEVE FINAL 8 KUPA E KOSOVËS:

E mërkurë  15.02.2023

Ora 14:00  Bora – Istogu (Liga e Parë e Meshkujve)

Ora 17:00  Trepça – Vëllaznimi        Grupi D 

Ora 20:00  Peja – Rahoveci               Grupi A

E enjte  16.02.2023

Ora 14:00 NEW Basket – Vushtrria (Liga e Parë e Meshkujve)

Ora 17:00 Sigal Prishtina – Bashkimi            Grupi  B

Ora 20:00 Golden Eagle Ylli –  Ponte Prizreni     Grupi C

E premte 17.02.2023

Ora 14:00 NDESHJA FINALE – LIGA E PARË

Ora 17:00 GJYSMËFINALJA I GRUPI   A – D

Ora 20:00 GJYSMËFINALJA II GRUPI   B – C

E diel  19.02.2023

Ora 14:00 FINALJA E KUPËS SË KOSOVËS PËR FEMRAT

Ora 17:00 FINALJA E KUPËS SË KOSOVËS

/Gazeta Express/