Tahini njihet më së shumti si përbërësi kryesor i humusit kremoz, por nutricionistët theksojnë se ky produkt i thjeshtë mund të përdoret shumë më gjerë në kuzhinë – dhe ka vlera të rëndësishme ushqyese.
Tahini është një pastë e butë me ngjyrë bezhë, e përgatitur nga farat e susamit të pjekura dhe të bluara. Ai gjendet në shumë kuzhina të botës dhe vlerësohet si për shijen ashtu edhe për përbërjen ushqyese.
I pasur me lëndë ushqyese dhe yndyra të shëndetshme
Sipas nutricionistes Sophie Gastman, tahini është një ushqim i thjeshtë por shumë i pasur me lëndë ushqyese, falë përbërjes së farave të susamit.
“Susami është burim i mirë i kalciumit, magnezit, hekurit, bakrit dhe zinkut. Kur bluhet për të krijuar tahinin, këto lëndë bëhen më të lehta për t’u përthithur nga organizmi,” shpjegon ajo.
Këto minerale janë thelbësore për funksione të ndryshme të trupit: nga shëndeti i kockave dhe dhëmbëve, deri te sistemi imunitar, energjia dhe qarkullimi i gjakut.
Tahini përmban gjithashtu vitamina të grupit B, përfshirë B1, B3, B2, B6 dhe folat (B9), të cilat ndihmojnë në metabolizëm, funksionimin e sistemit nervor dhe prodhimin e energjisë.
A ndihmon në uljen e kolesterolit?
Megjithëse është i pasur me yndyra dhe kalori, shumica e yndyrnave në tahini janë të shëndetshme – mono dhe poli-të-pangopura.
Një lugë gjelle përmban rreth 90 kalori dhe rreth 8 gramë yndyrë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ai përmban edhe përbërës si fitosterole dhe lignane, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e përthithjes së kolesterolit në trup.
Disa studime të vogla sugjerojnë se konsumimi i rregullt i susamit ose tahinit mund të ulë kolesterolin LDL (“kolesteroli i keq”) me rreth 9–10% brenda disa javësh, megjithëse rezultatet nuk janë përfundimtare.
Si mund të konsumohet më lehtë?
Tahini vjen në dy forma kryesore: i hapur (light) dhe i errët, në varësi të faktit nëse farat janë qëruar apo jo.
Sipas ekspertëve, versioni i errët ka pak më shumë antioksidantë dhe kalcium, por ndryshimet ushqyese mes tyre janë të vogla.
Nutricionistët sugjerojnë disa mënyra të thjeshta për ta përfshirë në dietë: si salcë me limon dhe hudhër për perime të pjekura, i përzier me kos në mëngjes, ose si salcë për gatime me makarona dhe oriz.
“Tahini nuk është ushqim magjik, por është një mënyrë e thjeshtë për ta bërë ushqimin më të shijshëm dhe më ushqyes,” përfundon Gastman. /GazetaExpress/