Mjalti është përdorur prej mijëra vitesh si ushqim dhe si “ilaç natyral”. Që nga Egjipti i lashtë e deri te tekstet fetare, ai është përshkruar si një substancë e çmuar për shijen dhe vetitë e tij.
Sot, konsumimi i mjaltit është rritur ndjeshëm, si në SHBA ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa shumë njerëz po e zëvendësojnë sheqerin e rafinuar me alternativa më “natyrale”. Në treg, janë bërë të njohura edhe varietetet premium, si mjalti Manuka, që shpesh shiten si produkte të mirëqenies.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se mjalti nuk është pa kufizime – dhe një gabim i zakonshëm në konsum mund t’i zhdukë përfitimet e tij.
Çfarë përmban mjalti?
Mjalti prodhohet nga bletët që mbledhin nektar nga lulet dhe e shndërrojnë atë në sheqerna natyralë. Në thelb, ai përbëhet pothuajse tërësisht nga fruktoza dhe glukoza – pra mbetet një formë sheqeri.
Një lugë gjelle mjalti (rreth 20 gramë) përmban afërsisht 61 kalori, ndaj konsumimi i tepruar mund të kontribuojë në shtim peshe, presion të lartë të gjakut dhe probleme kardiovaskulare.
Dietologia Beth Czerwony thekson se, pavarësisht origjinës natyrale, mjalti duhet trajtuar si “sheqer i lëngshëm” dhe të konsumohet me masë.
A ka përfitime për shëndetin?
Ndryshe nga sheqeri i rafinuar, mjalti përmban sasi të vogla vitaminash, mineralesh dhe përbërësish bioaktivë si antioksidantë (polifenole dhe flavonoide), të cilët ndihmojnë në luftimin e dëmtimit qelizor dhe inflamacionit.
Disa studime sugjerojnë se mjalti mund të ndihmojë në:
përmirësimin e tretjes dhe shëndetit të zorrëve
reduktimin e inflamacionit
mbështetjen e sistemit imunitar
ndihmën në kontrollin e oreksit dhe peshës
Ka gjithashtu prova që mjalti përmban oligosakaride – lloje sheqernash që ushqejnë bakteret e dobishme në zorrë, duke përmirësuar florën intestinale.
Mjalti dhe pesha trupore
Disa studime tregojnë se, kur zëvendëson sheqerin e zakonshëm, mjalti mund të ndihmojë në kontrollin e peshës.
Në një studim klinik, pjesëmarrësit që konsumuan mjaltë për një muaj humbën pak peshë dhe yndyrë trupore, ndërsa grupi që konsumoi sheqer shtoi peshë.
Mendohet se mjalti ndikon në hormonet që lidhen me urinë dhe ngopjen, duke reduktuar dëshirën për ëmbëlsira dhe duke stabilizuar nivelin e sheqerit në gjak.
Pretendimet për anti-plakje dhe kancer
Disa studime laboratorike kanë sugjeruar se mjalti mund të ngadalësojë rritjen e qelizave kancerogjene, por këto rezultate janë ende në faza të hershme.
Nga ana tjetër, studime te pacientët me terapi rrezatimi kanë treguar se mjalti mund të lehtësojë dhimbjet dhe simptomat, falë vetive të tij anti-inflamatore.
Organizata si OBSH dhe Akademia Amerikane e Pediatrisë e rekomandojnë mjaltin edhe për lehtësimin e kollës.
A ka rëndësi lloji i mjaltit?
Po. Jo të gjithë mjaltërat janë të njëjtë.
Mjalti i përpunuar në supermarkete zakonisht ngrohet për të eliminuar bakteret, por kjo mund të ulë përmbajtjen e antioksidantëve. Mjalti i papërpunuar (raw honey) ruan më shumë vlera ushqyese, por mund të ketë edhe rrezik më të vogël ndotjeje.
Ekspertët theksojnë se sa më i errët të jetë mjalti, aq më i pasur mund të jetë me përbërës të dobishëm.
Mjalti mund të jetë një alternativë më e mirë se sheqeri i rafinuar, por nuk është ushqim “magjik”. Përfitimet e tij varen nga mënyra dhe sasia e konsumit.
Çelësi, sipas ekspertëve, mbetet i njëjtë: moderimi. /GazetaExpress/