Në Berlin, duket se të gjitha dyshimet në lidhje me vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën janë mënjanuar. Megjithatë, opozita politike po rritet.
Që nga lufta në Iran, në Ukrainë është rritur frika se lufta në vend mund të spostohet në plan të dytë. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump dëshiron një marrëveshje të shpejtë paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ka reduktuar ndjeshëm ndihmën amerikane. Si rezultat, roli i Gjermanisë dhe i vendeve të tjera evropiane po rritet.
Pas humbjes në zgjedhje të Viktor Orbanit në Hungari të dielën, pritet të ketë më pak rezistencë nga Europa për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Dhe në konsultimet qeveritare gjermane-ukrainase të martën në Berlin, qeveria federale pritet të japë siguri: te Gjermania mund të mbështetesh.
Cila është situata?
Pas SHBA, Gjermania është me shumë diferencë donatori i dytë më i madh bilateral për Ukrainën. Qeveria gjermane e ka mbështetur Ukrainën me gati 100 miliardë euro që nga fillimi i luftës (të dhëna deri në fillim të vitit 2026). Gjermania ofron ndihmë ushtarake, financiare, teknike dhe humanitare. Kjo përfshin gjithashtu pranimin e më shumë se një milion refugjatëve ukrainas.
Ndihma ushtarake
Sipas të dhënave të veta, qeveria gjermane i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake me vlerë rreth 55 miliardë euro ose e ka vënë atë në dispozicion për vitet e ardhshme (deri më 31 dhjetor 2025).
Kjo përfshin furnizime me pajisje dhe armë nga armatimet e Forcave të Armatosura Gjermane, si dhe furnizime të financuara nga shteti nga industria. Ajo mbulon të gjithë spektrin ushtarak: nga armët kundërajrore, artileria dhe automjetet luftarake, si tanket, e deri te armët e zjarrit dhe furnizimet mjekësore.
Për më tepër, që nga fillimi i luftës, Gjermania ka trajnuar më shumë se 24.000 ushtarë ukrainas në territorin gjerman.
Megjithatë, gjatë luftës fokusi ka ndryshuar qartë. Kështu, për shembull, tanket luftarake, me të cilat Gjermania e furnizoi Ukrainën vetëm pas shumë hezitimi, sot thuajse nuk luajnë rol të rëndësishëm. Në vend të tyre, dronët luftarakë dominojnë operacionet ushtarake. Dronët luftarakë për Ukrainën gjithashtu vijnë nga Gjermania ose prodhohen nga kompani gjermane në Ukrainë.
Pyetja, e debatuar për vite me radhë, nëse Gjermania duhet të dërgojë raketa me koka mbushëse Taurus në Ukrainë, nuk është më në tryezë, sipas mendimit të kancelarit gjerman Friedrich Merz. Ukraina tani ka armët e veta me rreze të gjatë veprimi , deklaroi kancelari në fund të marsit gjatë një seance pyetje-përgjigje të qeverisë në Bundestag. Ukraina është ‘më mirë e armatosur sot se kurrë më parë’. Problemi është më tepër mungesa e fondeve, një fushë në të cilën Gjermania megjithatë dëshiron të ndihmojë.
Ndihma civile dhe humanitare
Ndihma civile bilaterale e Gjermanisë (përveç ndihmës së ofruar brenda kuadrit të BE-së) arrin, sipas shifrave të qeverisë, në rreth 39 miliardë euro. Kjo përfshin të gjithë ndihmën joushtarake që forcon rezistencën dhe funksionimin e shtetit ukrainas.
Një nga prioritetet kryesore është furnizimi me energji, të cilin Rusia po e sulmon me intensitet në rritje. Në total, që nga fillimi i luftës, qeveria gjermane ka dhënë më shumë se 1.2 miliardë euro ndihma vetëm për sektorin e energjisë, duke u bërë donatorja e dytë më e madhe në këtë fushë pas SHBA.
Në njërën anë, kjo përfshin riparimet dhe masat e emergjencës në objektet e shkatërruara. Në anën tjetër, ekspertët gjermanë po punojnë me partnerët ukrainas për rindërtimin e infrastrukturës energjetike, duke u përqendruar në efikasitetin energjetik dhe zgjerimin e energjive të rinovueshme.
Aktivitetet e ndihmës humanitare financohen në bashkëpunim të ngushtë me organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare, duke siguruar që kujdesi mjekësor, ushqimi, uji i pijshëm dhe ndihma e tjera emergjente t’u arrijnë njerëzve shpejt, veçanërisht atyre pranë vijës së frontit.
Mbështetje për refugjatët
Më shumë se një milion refugjatë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë gjetur strehim në Gjermani që nga fillimi i luftës. Qeveria gjermane mbështet landet federale dhe autoritetet lokale në akomodimin dhe kujdesin për këta njerëz, për shembull përmes ndihmës financiare të drejtpërdrejtë ose duke vënë në dispozicion për strehim ndërtesa në pronësi federale.
Refugjatët mbështeten, për shembull, për kurse të gjuhës gjermane, arsimim të mëtejshëm dhe programe integrimi, si dhe mbështetje në gjetjen e punësimit. Sipas të dhënave të Institutit për Kërkime të Punësimit në shkurt 2026, rreth gjysma e refugjatëve ukrainas në moshë pune janë të punësuar.
Rindërtimi dhe reformat
Qeveria gjermane po planifikon tashmë rindërtimin e Ukrainës së bashku me Ukrainën dhe partnerët nga BE dhe G7-ja. Kjo duhet të shoqërohet me një modernizim të shtetit dhe ekonomisë dhe të marrë parasysh procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE, të cilin Gjermania e mbështet në parim.
Janë mbajtur tashmë disa konferenca ndërkombëtare për rindërtimin (Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës, URC), përfshirë një në Gjermani në vitin 2024. Në vitin 2026, Polonia do të jetë mikpritëse e URC-së. Konferenca pritet të mbahet në fund të qershorit në Gdansk.
Rezistenca nga e djathta dhe e majta
Jo të gjithë në Gjermani janë dakord me formën dhe shkallën e mbështetjes për Ukrainën. Nëse në të ardhmen do të kërkohej edhe më shumë nga Gjermania, për shkak të tërheqjes gjithnjë e më të madhe të SHBA nga ndihma për Ukrainën, rezistenca ka të ngjarë të rritet edhe më shumë.
Mëria mes popullatës gjermane ndaj refugjatëve ukrainas është relativisht e ulët, pjesërisht sepse këta njerëz konsiderohen relativisht të mirëintegruar. Megjithatë, ka kritika për faktin që refugjatëve ukrainas iu dhanë menjëherë të ardhurat bazë, në vend të përfitimeve të reduktuara për kërkuesit e azilit.
Si pasojë, në marrëveshjen e koalicionit, CDU/CSU dhe SPD ranë dakord që refugjatët që hyjnë në Gjermani pas 1 prillit 2025 do të marrin përfitime të reduktuara në të ardhmen.
Mes partive gjermane në qendrën politike, për mbështetjen për Ukrainën ka kryesisht konsensus. Situata është ndryshe në të djathtën dhe të majtën ekstreme. Si partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila është pjesërisht e ekstremit të djathtë, ashtu edhe, në njëfarë mase, partia E Majta e shohin këtë mbështetje me sy kritik dhe kërkojnë lidhje më të ngushta me Rusinë.
Argumenti kryesor është se, duke pasur parasysh arkët e zbrazëta dhe borxhin e lartë, nuk ka mjaftueshëm para as për Ukrainën, as për popullsinë gjermane, dhe se Gjermania duhet të mbështetet përsëri në energji të lirë nga Rusia.
Pikërisht për shkak të çmimeve të larta të karburantit të shkaktuara nga lufta në Iran, ky lloj arsyetimi po fiton terren aktualisht. Shqetësimi kryesor i qeverisë federale është se AfD-ja, në veçanti, mund të përfitojë nga kjo në zgjedhjet rajonale në shtator, në landet Mecklenburg-Vorpommern dhe Saksoni-Anhalt./DW/