Ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, është ndaluar sot në kuadër të një aksioni të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i realizuar në koordinim me Prokurorinë Publike.
Sipas autoriteteve, ai dyshohet për përvetësim dhe keqpërdorim të rreth 700 mijë eurove, mjete të siguruara nga UEFA për mbështetjen dhe ndërtimin e një tribune në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.
Nga MPB bëjnë të ditur se oficerët e Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, në bashkëpunim me policinë kriminale, kanë privuar nga liria personin me inicialet M.S., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të përvetësimit dhe keqpërdorimit.
Ndërkohë, Prokuroria Publike njofton se hetimet janë në vijim dhe se po ndërmerren veprime shtesë me urdhër të prokurorit kompetent.
“Më shumë informacione do të bëhen publike pas përfundimit të veprimeve hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
tag_katrorimaqedoni_2