NBA: Doncic shkëlqen sërish në fitoren e Dallasit, Clippers s’dinë të ndalen - Gazeta Express
string(73) "nba-doncic-shkelqen-serish-ne-fitoren-e-dallasit-clippers-sdine-te-ndalen"

Basketboll

Gazeta Express

22/04/2021 12:40

NBA: Doncic shkëlqen sërish në fitoren e Dallasit, Clippers s’dinë të ndalen

Basketboll

Gazeta Express

22/04/2021 12:40

Los Angeles Clippers ia ka dalë të triumfojë me rezultatin 117-105 ndaj Memphis Grizzlies në “Staples Center”, duke regjistruar kështu fitoren e tretë radhazi dhe të 42-tën sezonale, rezultate këto që ia blindojnë pozitat në zonën Play Off të renditjes në Konferencën e Perëndimit.

Kalifornianët e nisën shumë keq takimin dhe në fund të fraksionit të parë kishin një disavantazh prej 15 pikësh, megjithatë reaguan shumë shpejt dhe morën kontrollin e lojës, duke përmbysur gjithçka falë edhe formës mjaft të mirë të dyshes Luke Kennard e Marcus Morris, që shënuan 53 pikë së bashku, rikuperuan 11 topa dhe dhanë 4 asiste.

Lexo Edhe:

Pas dy humbjeve radhazi, ka reaguar mjaft mirë edhe Dallas Mavericks, që ka fituar me rezultatin 127-117 ndaj Detroit Pistons, në një sfidë ku vendasit bënë diferencën vetëm në fraksionin e dytë, pasi pjesa tjetër e lojës ishte e balancuar.

Slloveni Luka Doncic ishte protagonist absolut për Dallas, pasi shënoi 30 pikë, rikuperoi 10 topa në tabelë dhe dha 9 asiste, ndërsa te Detroit spikatën amerikani Grant dhe kanadezi Joseph, megjithatë Pistons mbeten në vendin e fundit të renditjes në Konferencën e Lindjes.

Një nga sfidat më spektakolare të mbrëmjes ishte ajo e zhvilluar në “Moda Center” të Portlandit, me Trail Blazers-at vendas që u mposhtën me vetëm një pikë diferencë 105-106 nga Denver Nuggets.

Sfida ishte tërë kohës e balancuar, teksa miqtë nga Denver ia dolën të zgjidhin gjithçka vetëm në sekondat e fundit të lojës, falë një forme mjaft të mirë edhe të serbit Jokic, që u shpall edhe më i miri i ndeshjes me 25 pikë, 9 rikuperime e 5 asiste, duke lënë në hije basketbollistin e Portland, Damian Lillard.

Washington Wizards beson te arritja e një vendi në fazën finale të NBA, pasi ka mposhtur Golden State Warriors me rezultatin 118-114, duke regjistruar kështu fitoren e 6 radhazi, që e ngjit përkohësisht në vendin e 10 në Konferencën e Lindjes.

Në “Capital One Arena” të Washingtonit u zhvillua një sfidë mjaft interesante, herë nën dominimin e njërës skuadër dhe herë nën dominimin e tjetrës, ndërsa në fillim të fraksionit të katërt Wizards e panë veten me 11 pikë disavantazh, por ia dolën të realizojnë një përmbysje të çmendur.

Një rol protagonisti për Washington Wizards pati edhe basketbollisti amerikan Bradley Beal që shënoi 29 pikë, rikuperoi 10 topa në tabelë dhe dha 4 asiste, ndërsa te Warriors spikatën Oubre dhe Poole.

Në sfidat e tjera kanadezët e Toronto Raptors triumfuan me rezultatin 114-103 ndaj Brooklyn Nets, Cleveland Cavaliers mposhti Chicago Bulls me shifrat 121-105, ndërsa Phoenix Suns ia dolën të fitojnë 113-116 në transfertën ndaj Philadelhpia 76ers./SS/