Babai i sulmuesit të ri të Real Madridit, Carlos Espai, ka zbuluar detaje interesante nga dita kur djali i tij firmosi me “Los Blancos”, duke e përshkruar gjithçka si një skenar filmi.
Me fjalët “Ishte sikur po jetonim brenda një filmi”, Juanjo Espai përshkroi orët e çmendura që ndryshuan jetën e djalit të tij brenda një dite.
Në mëngjes, Carlos ishte duke u stërvitur me Levanten, ndërsa në mbrëmje firmoste kontratën me Real Madridin.
Në një intervistë për radion spanjolle “Cadena SER”, Juanjo Espai tregoi se fillimisht agjentët e Carlosit po negocionin një transferim te Brighton.
Megjithatë, brenda pak orësh gjithçka ndryshoi dhe sulmuesi përfundoi te Real Madridi.
“Ajo që përjetoi djali im ishte si një skenë filmi. Sapo mbërritëm në Valdebebas për të firmosur kontratën, na njoftuan menjëherë se trajneri José Mourinho donte të na takonte dhe të na uronte mirëseardhjen”, tha ai.
Më pas ai rrëfeu edhe momentin e takimit me trajnerin portugez.
“Mourinho erdhi dhe ishte shumë miqësor me të gjithë ne. Pastaj e kapi Carlosin nga jaka, e mori me vete në zyrë dhe tha: ‘Ky është imi’. Qëndroi pak me të, i shpjegoi rolin që do të ketë në skuadër dhe i tregoi saktësisht se çfarë pret prej tij”, tha ai.
Në një tjetër intervistë për “COPE Valencia”, Juanjo Espai zbuloi se sa dramatike u bënë momentet e fundit të negociatave.
“Carlosi po darkonte i qetë me Emilio Butragueñon në stadiumin ‘Bernabéu’, duke pritur që gjithçka të mbyllej për të firmosur. Kjo nuk është diçka normale. Në fund gjithçka shkoi mirë. Ai bëri një hap të madh në karrierë”, shtoi ai.
Babai i sulmuesit pranoi se pjesa më e vështirë ishte ruajtja e sekretit.
“Ishte e tmerrshme. Të fshihje gjithçka dhe të mos mund të flisje me askënd ishte rraskapitëse. As nëna ime, gjyshja e Carlosit, dhe as vëllai im nuk dinin asgjë. Nuk mund t’ia tregoja askujt”, u shpreh ai.
Për sulmuesin e ri që u transferua nga Levante te Real Madridi, kjo lëvizje konsiderohet mundësia më e madhe e karrierës së tij deri më tani.
Ndërsa babai i tij e përmblodhi ditën e parë në Valdebebas me vetëm një fjalë: “E pabesueshme”./GazetaExpress/