Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka deklaruar se skuadra e tij ende beson se mund të bëjë diçka të veçantë në ndeshjen e kthimit ndaj Paris Saint-Germainit në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
PSG vjen në “Anfield” me epërsi 2-0 pas fitores bindëse në Paris, por Sloti është i bindur se Liverpooli mund të realizojë një përmbysje historike.
“Në 50 ndeshjet e fundit në shtëpi, kemi shënuar dy ose më shumë gola në 36 raste. Po, nuk kemi luajtur gjithmonë kundër PSG, por edhe kundërshtarët në Premierligë dhe Champions janë shumë të fortë”, tha ai.
“Ka besim se mund të bëjmë diçka të veçantë, por duhet të jemi shumë, shumë të veçantë sepse përballemi me kampionët e Europës. Kjo e bën detyrën më të vështirë, por jo të pamundur”, shtoi ai.
Sloti kërkoi edhe mbështetjen e tifozëve për një tjetër natë të madhe evropiane.
“Tifozët do të jenë po aq të rëndësishëm sa performanca jonë. Shpresoj që të japin edhe më shumë se vitin e kaluar”, u shpreh holandezi.
Ai pranoi se skuadra duhet të përmirësohet ndjeshëm krahasuar me ndeshjen e parë.
“Duhet të jemi shumë më të mirë se javën e kaluar. Një gol mund të ndryshojë gjithçka”, bëri me dije ai.
Besimin e trajnerit e ndau edhe mesfushori Dominik Szoboszlai.
“Besoj plotësisht, sepse e di çfarë mund të bëjmë dhe çfarë mentaliteti kemi. Do të japim gjithçka nga minuta e parë deri në fund, edhe nëse duhet të luajmë 120 minuta”, tha hungarezi.
Ndërkohë, mbrojtësi Ibrahima Konaté theksoi se PSG ka një avantazh të vogël pasi pati më shumë kohë pushimi.
“Është diferencë kur ata mund të pushojnë më shumë, por ne duhet ta përballojmë këtë si profesionistë”, u shpreh mbrojtësi francez.
Sloti la të hapur mundësinë që edhe talenti 17-vjeçar Rio Ngumoha të ketë rol në këtë sfidë të madhe.
“Ai ka personalitet dhe cilësi. Nuk shpërqendrohet dhe ka treguar se mund të bëjë diferencën një kundër një”, tha Sloti.
Liverpooli vjen nga një fitore ndaj Fulhamit në fundjavë, dhe tani synon një rikthim spektakolar për të mbajtur gjallë ëndrrën në Champions./GazetaExpress/