Bashkim Mustafa, profesor universitar dhe ekspert i ekonomisë, në EURO n’T7 ka thënë se kjo që ka bërë Qeveria Kurti me ndarjen e 100 eurove është qasje mesjetare e kësaj qeverie për blerjen e votave.
Mustafa ka rikujtuar se kjo nuk është hera e parë që kjo qeveri, pa asnjë analizë dhe në mënyrën më të paskrupullt, merr vendime të tilla në prag të zgjedhjeve.
“Hyn në fushatë zgjedhore dhe nuk ke asnjë sukses për gjashtë vite me radhë, nuk ke asnjë projekt kapital me të cilin do të krenoheshe, nuk ke asnjë fakt se ke ndikuar në zhvillimin ekonomik. Në fakt, është krejt e kundërta, sepse kemi normën më të ulët të zhvillimit ekonomik në rajon, shkallën më të lartë të papunësisë në rajon, shkallën më të lartë të varfërisë në rajon dhe migrimin më të lartë. Normalisht që tani del me kësi vendime, ngase s’ka me çka të garojë në zgjedhje dhe kjo, përveç tjerash, është keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, si dhe blerje e votës në mënyrë mesjetare, në mënyrën më të ulët të mundshme”, ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa ka thënë se me këto vendime Qeveria Kurti po luan me dinjitetin e kategorive më të rrezikuara të qytetarëve, ngase për gjashtë vite të qeverisjes së saj nuk ka bërë asgjë për t’ua përmirësuar gjendjen socio-ekonomike.
“Politikat e gabuara të kësaj qeverie e kanë thelluar edhe më shumë varfërinë e qytetarëve, ku sot mbi 10% e qytetarëve jetojnë në varfëri të skajshme, me më pak se dy dollarë në ditë. Kjo që ndodhi sot po dëshmon se qytetarët janë në krizë të thellë ekonomike dhe sociale”, ka shtuar Mustafa.
Reisebüro Prishtina kujdeset që udhëtimi juaj të jetë I lehtë dhe I sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe mijëra klientë...