Musliu: Shfrytëzimi i AKI’së nga Burim Ramadani dëmton këtë institucion i cili është në shërbim të sigurisë - Gazeta Express
string(105) "musliu-shfrytezimi-i-akise-nga-burim-ramadani-demton-kete-institucion-i-cili-eshte-ne-sherbim-te-sigurise"

Musliu: Shfrytëzimi i AKI’së nga Burim Ramadani dëmton këtë institucion i cili është në shërbim të sigurisë

Lajme

Gazeta Express

24/05/2022 22:32

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI’së, Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj një komunikate të AKI’së, lidhur me inspektorin e përgjithshëm të këtij institucioni Burim Ramadani, i cili mori ftesë nga Gjykata Speciale. Ky institucion njoftoi se Ramadani “është plotësisht i vetëdijshëm për obligimet ligjore në raste të këtilla” dhe se ai “beson se ky është një gabim teknik dhe si i tillë do të qartësohet më tutje”.

Për një veprim të tillë të AKI sipas deputetes së PDK’së do të duhej të jepej përgjegjësi dhe këtë thotë se do ta kërkojë vetë ajo.

Lexo Edhe:

Musliu thotë se Ramadani ka shfrytëzuar institucionin ku ai vetë punon, pasi AKI “nuk është në shërbim të individëve”.

“Si Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së do të kërkoj zyrtarisht përgjegjësi për rrëshqitjen e këtij institucioni në këtë rast, ku nga Ramadani thjesht është kërkuar “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.”, shkroi Musliu në llogarinë e saj në Facebook.

“Shfrytëzimi i AKI-së nga Ramadani për të tërhequr vëmendje publike në emër të saj e dëmton më së shumti vetë këtë institucion, ku me përkushtim dhe integritet të lartë shërbejnë shumë vajza dhe djem që e duan Kosovën pa politikë, pa hile dhe pa rezerva”, shtoi ajo.

Reagimi i plotë i Musliu:

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk u tregua aspak inteligjente lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale që i ka ardhur Burim Ramadanit për kohën e tij të adoleshencës dhe jo për punën e tij si Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së.

Ky institucion që fshehtësinë e ka punë të përditshme, çuditërisht lëshoi edhe komunikatë zyrtare lidhur me një ftesë për Ramadanin, rast që siç njoftoi nuk ndërlidhet asgjë me institucionin.

Shfrytëzimi i AKI-së nga Ramadani për të tërhequr vëmendje publike në emër të saj e dëmton më së shumti vetë këtë institucion, ku me përkushtim dhe integritet të lartë shërbejnë shumë vajza dhe djem që e duan Kosovën pa politikë, pa hile dhe pa rezerva.

Si Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së do të kërkoj zyrtarisht përgjegjësi për rrëshqitjen e këtij institucioni në këtë rast, ku nga Ramadani thjesht është kërkuar “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.

AKI-ja nuk është në shërbim të individëve, por në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve tanë.