Fernando Muslera ka marrë përgjegjësinë për eliminimin e Uruguait nga Kupa e Botës 2026, pasi kërkoi vetë të zëvendësohej në pushim të ndeshjes ndaj Spanjës.
Portieri veteran u largua nga fusha në pjesën e parë të humbjes 1-0, pas gabimit që çoi te goli vendimtar i Álex Baenës. Trajneri Marcelo Bielsa konfirmoi pas ndeshjes se vendimi për zëvendësim nuk ishte i stafit teknik, por i vetë Muslerës.
“Nuk e mora unë atë vendim. Ishte vendim që e mori vetë Muslera”, deklaroi Bielsa.

Muslera më pas kërkoi falje publike për paraqitjen e tij dhe pranoi se ky Botëror kishte qenë shumë i vështirë për të.
“Unë kurrë nuk kam qenë njeri që fshihem, por përballem me përgjegjësinë. Kjo është mënyra më e drejtpërdrejtë për t’i folur popullit uruguaian. Nuk e imagjinoja kurrë se do të vuaja kaq shumë nga ky sport, sidomos pas gjithë punës dhe përgatitjes që kam bërë”, tha ai.
Portieri 40-vjeçar tregoi se pas ndeshjes u kishte folur edhe bashkëlojtarëve në dhomën e zhveshjes.
“U thashë djemve në fund të ndeshjes, kur ishin pak më të qetë: sot është radha ime. Nuk kam pasur një Botëror të mirë. U kërkova falje atyre dhe të gjithë uruguaianëve, edhe pse tani është shumë vonë”, shtoi Muslera.
Ai pranoi se pozita e portierit shpesh është e pamëshirshme, pasi mund të të japë shumë, por edhe të të marrë gjithçka në një moment të vetëm.

“Tani duhet të jem pranë njerëzve të mi më të afërt, familjes dhe miqve, të mbledh forcë dhe të vazhdoj përpara. Ky është sporti, dhe kështu është edhe pozita e portierit. Ndonjëherë të jep shumë, por ndonjëherë edhe të merr. E pranoj atë që më takon dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vazhdoj”, deklaroi ai.
Eliminimi i Uruguait mund të shënojë fundin e një epoke për disa nga lojtarët më me përvojë të kombëtares. Për Muslerën, ky Botëror mund të mbetet turneu i fundit i madh me fanellën e Uruguait, ndërsa e ardhmja e trajnerit Marcelo Bielsa gjithashtu mbetet e paqartë pas dështimit në fazën e grupeve. /GazetaExpress/