Irani sulmon FIFA-n dhe Infantinon - Gazeta Express
string(34) "irani-sulmon-fifa-n-dhe-infantinon"

Futboll

Gazeta Express

27/06/2026 15:59

Irani sulmon FIFA-n dhe Infantinon

Futboll

Gazeta Express

27/06/2026 15:59

Kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, ka shpërthyer me kritika ndaj FIFA-s dhe presidentit Gianni Infantino, duke e cilësuar Kupën e Botës 2026 si një “katastrofë” për mënyrën se si është trajtuar kombëtarja iraniane gjatë turneut.

Pas barazimit ndaj Egjiptit, Taremi tha se problemet jashtë fushës kanë ndikuar ndjeshëm te skuadra. Sipas tij, FIFA nuk ka arritur të zgjidhë çështjet me vizat dhe vështirësitë logjistike, pavarësisht premtimeve të bëra nga Infantino.

“Është një Kupë Bote katastrofike, një katastrofë. FIFA duhet t’i zgjidhë këto probleme, por fatkeqësisht nuk e ka bërë që nga dita e parë. Zoti Infantino erdhi në dhomën tonë të zhveshjes pas ndeshjes me Zelandën e Re dhe tha se ishte vetëm fillimi”, deklaroi Taremi.

Kapiteni iranian zbuloi se 11 anëtarë të stafit nuk kanë mundur t’i bashkohen ekipit për shkak të problemeve me vizat, ndërsa skuadra është detyruar të udhëtojë vazhdimisht nga Tijuana e Meksikës drejt ndeshjeve në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk kemi stafin tonë të logjistikës, sepse nuk kanë marrë vizë. Si është e mundur që gjithmonë duhet të udhëtojmë nga Tijuana? Ne i duam njerëzit në Tijuana dhe në Meksikë, por për një garë profesionale kjo nuk është normale. Nuk është e drejtë. Nëse duan që ne të eliminohemi, atëherë le të ndodhë, por kjo nuk është e drejtë. Nuk kemi as stafin e rikuperimit dhe askush nuk na ndihmon”, shtoi ai.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe trajneri Amir Ghalenoei, i cili kritikoi organizatorët dhe kërkoi që FIFA të mbrojë kombëtaret nga trajtime të tilla në të ardhmen.

“E di që zoti Infantino është përpjekur t’i minimizojë problemet, por vendi organizator nuk është sjellë mirë me ne. I bëj thirrje FIFA-s që të mos lejojë më që organizatorët t’i trajtojnë skuadrat në këtë mënyrë. Shpresoj që Infantino të reagojë ndaj kësaj sjelljeje”, tha Ghalenoei.

Ai shtoi se Irani nuk u lejua të mbërrinte më herët në Shtetet e Bashkuara për t’u përgatitur, ndërsa skuadra u detyrua të zhvendoste bazën stërvitore nga Arizona në Meksikë për shkak të konfliktit ushtarak mes SHBA-së dhe Iranit.

“Na penguan të vinim dy javë më herët dhe as dy ditë para çdo ndeshjeje. Kjo na ka dëmtuar shumë. Përveç kësaj, vendi ynë po përballet edhe me luftë. Megjithatë, kemi arritur të paraqitemi mirë dhe bota është krenare për iranianët. Ky është suksesi ynë më i madh, pavarësisht të gjitha pengesave që na u vendosën”, deklaroi trajneri.

Pavarësisht polemikave, Irani ende ruan shpresa për t’u kualifikuar në fazën e 1/32-ave si një nga kombëtaret më të mira të vendeve të treta. Tani skuadra pret rezultatet e ndeshjeve të tjera për të mësuar nëse do të vazhdojë rrugëtimin në Botëror. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement