Shakhtar Donetsk mund t’i zhvillojë ndeshjet si vendas në Ligën e Kampionëve në Angli sezonin e ardhshëm.
Kampionët e Ukrainës janë në bisedime me disa klube për të gjetur një stadium ku do të luajnë ndeshjet e tyre evropiane.
Shakhtar nuk ka mundur të presë ndeshje ndërkombëtare në Ukrainë që nga pushtimi i plotë rus në vitin 2022, pasi UEFA ka ndaluar zhvillimin e ndeshjeve evropiane në vend për arsye sigurie.
Në fakt, klubi është larguar nga Donetsku që prej vitit 2014, kur luftimet në rajonin e Donbasit e detyruan të braktiste “Donbas Arenën”, pasi stadiumi u godit nga bombardimet.
Që atëherë, Shakhtar ka luajtur në Lviv, Kharkiv dhe Kiev, ndërsa ndeshjet e kampionatit ukrainas i zhvillon në Arena Lviv që nga sezoni 2023/24.
Për ndeshjet evropiane, sezonin e kaluar klubi luajti në Poloni, duke pritur kundërshtarët në stadiumin “Henryk Reyman” të Krakovit, me kapacitet prej 33.326 vendesh, stadiumi i Wisła Kraków.
Megjithatë, presidenti i Wisła Kraków, Jarosław Królewski, ka konfirmuar se stadiumi nuk do të jetë në dispozicion sezonin e ardhshëm, pasi klubi është rikthyer në elitën e futbollit polak.
Kjo e ka detyruar Shakhtarin të kërkojë një stadium të ri, ndërsa klubi ka konfirmuar se është në negociata me disa impiante sportive në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani. Londra raportohet të jetë zgjedhja e preferuar.
Favoriti kryesor është stadiumi “Gtech Community Stadium”, me kapacitet prej 17 mijë vendesh, shtëpia e Brentford.
Brentford ka lidhje të forta me komunitetin ukrainas, pasi zonat fqinje të Hounslow dhe Ealing kanë një numër të madh banorësh ukrainas. Klubi gjithashtu ka mbështetur familjet ukrainase të zhvendosura përmes projekteve lokale.
Për më tepër, Brentford ka përvojë në dhënien me qira të stadiumit për aktivitete të tjera. Në “Gtech Community Stadium” kanë luajtur ekipi i regbisë London Irish mes viteve 2020 dhe 2023, janë zhvilluar Unity Cup në vitin 2025, turneu World Sevens Football në maj, si dhe disa ndeshje ndërkombëtare.
Një zëdhënës i Shakhtarit deklaroi:
“Shakhtar aktualisht është në negociata me disa stadiume në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani për të siguruar një impiant ku do të zhvillojë ndeshjet e Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm. Nuk do të komentojmë më tej derisa të merret një vendim në të ardhmen e afërt.”
Shakhtar do ta nisë aventurën evropiane direkt nga faza e ligës së Ligës së Kampionëve, duke shmangur raundet kualifikuese të korrikut. Faza e ligës fillon më 8 shtator dhe do të zhvillohet përgjatë tre ditëve radhazi./GazetaExpress/