Mujshari përtallës - Gazeta Express
string(18) "mujshari-pertalles"

Mujshari përtallës

Ermal Mulosmani

10/10/2020 10:50

“Mujshar” quanim dikur një fëmijë të rritur që shfrytëzonte superioritetin fizik për të nënshruar fëmijët më të vegjël. Ai të godiste me çok kokës apo shpullë pas qafe pa arsye, thjesht për të kënaqur vanitetin e tij ose komplekset ndaj të rriturve.

Askush nuk ma sjell në mendje mujsharin e mësipërm sesa Edi Rama

Lexo Edhe:

Një mujshar që nuk njeh kufinj etikë e moralë, që nuk përfill ligje e gjykata, bashkëpartiakë apo kundërshtarë, gazetarë apo figura publike, të varfër apo të pasur, ambasadorë a kryetarë shtetesh, që linçon e përtall publikisht çdo shqiptar në veçanti por iu referohet si “sovrani” e broçkullisje të tilla të gjithëve bashkë.

Një manipulator i fjalës e opinionit, një demagog i pashembullt, një fanatik i verbër i imazhologjisë dhe sondazheve por një urryes i realitetit dhe faktit kundërvënës. Sidomos sjellësit të faktit. Fakti në vetvete nuk e shqetëson shumë, ai jeton përditë me të dhe e ka të qartë. Atë e tërbon vetëm bërja publike e faktit, e tërbon fakt-hedhësi, ai është subjekti i vrerit dhe zezonës publike nën miratimin buzëqeshës e miratues të puthadorëve që i shërbejnë.

Mjafton që në një ambient të ketë kamera dhe adrenalina kryeministrore për dhunë verbale do të ndizet si sytë e vampirit kur sheh gjak.

Një manipulator i fjalës i kombinuar me një arrogant përtallës dhe i veshur me pushtetin më të lartë qeverisës është e keqja më e  madhe që mund t’i vijë një populli të vogël e të varfër.

Në këtë shkrim dua të ndalem pak në mujsharinë përtallëse ndaj  parimeve, ndaj shtetit, ndaj ligjeve dhe politikës në përgjithësi.

Mujshari arriti të mobilizonte një protestë të pashembullt në  Janar 2011 kundër Ilir Metës duke përdorur videopërgjimin Meta-Prifti të publikuar në televizion me nxitjen direkte të tij. Në ballë të protestës vuri hallexhinj që u vranë nga shteti në dyert e Kryeministrisë. Mujshari vetë nuk dihej se në cilin televizor po e ndiqte protestën por e sigurt është që nuk ishte në ballë të saj. 

Pasi mori shpërblimin që kërkonte nga protesta (të vdekurit), ai bëri veprimin më të pabesueshëm, i shkoi në shtëpi Ilir Metës dhe i kërkoi të bëheshin bashkë. Ziveri, Hekurani, Faiku dhe Aleksi e kishin kryer misionin e tyre, tani ishim në etapën e dytë, rivrasjen e tyre. Mbetej vetëm të shpalleshin “dëshmorë të Mujsharit” dhe të mirrnin paratë që të mbyllnin gojën. Ky ishte edhe fundi i filmit.

Mujshari demagog nuk pyet për parime, ato janë  instrumenta të ndryshkura për operacionet moderne. Në botën e imazhologëve ka të tjera mjete, viktimizimi është një ndër to.

Edi Rama na mallëngjeu me ecejaket për te zyra e Ilir Metës sa kohë bashkëqeverisnin. Duhej të krijohej ideja se “Ja, ky i shkreti do të bëjë punë por nuk e lë Iliri”. Katër vjet punoi me këtë strategji dhe në fund ia doli të manipulojë opinionin dhe të merrte Timonin qeverisës që e kërkoi me të qara si një fëmijë 5 vjeçar.

I gjithë mundimi ia vleu. Populli e hëngër karremin.

Ajo çfarë ka bërë Edi Rama këto 4 vjet ka qenë një mujshari e paskrupullt ndaj parave publike, ligjeve në fuqi, opozitës, drejtësisë, medias, zgjedhjeve të lira.

Media më e madhe në vend, burimi më i madh i propagandës së shitur si informacion u bë ERTV. Të gjithë televizionet rreshtohen të marrin sinjal sa herë Kryeministri ndan 5 tapi në Paskuqan apo viziton një katundar me shtëpi të dëmtuar në Bubq.

Mujshari përtallëse është  të boshatisësh Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, të shterosh çdo gjykatë rrethi e prokurori nën devizën “më mirë bosh sesa me djallin brenda” apo me frikësimin e të mbeturve përmes fjalimeve të Kryeminsitrit për “arrestimin e bandës KÇK”. Një drejtësi impotente është terreni i duhur për t’i vënë kazmën parave dhe aseteve publike. Dhe sa bukur është ta bësh këtë duke e maskuar me emrin Reformë në Drejtësi dhe bashkëpunim me amerikanët! Këtu edhe konsiston përtallja e vërtetë.

Mujshari përtallëse është përdorimi i parave publike pa tendera apo me tendera të paracaktuar, janë vendimet e pamenduara për të anulluar kontrata që mund të shkatërrojnë ekonominë e një vendi të vogël me dëme qindramilionëshe.

Mujshari përtallëse është të marrësh borxh 7,2 miliardë në 7 vjet, të rrisësh rrogat e të zerosh taksat 4 muaj para zgjedhjeve a thua nuk ishe ti në Qeveri për 7 vjet të shkuara.

Mujshari përtallëse është promovimi i Damian Gjiknurit si Kryetar i Reformës Zgjedhore, emërimi i Afrim Qendros si nënkryetar i Bashkisë Vlorë apo Klodian Gradecit si Drejtor në AKBN! Këto emërime janë përtallja me drejtësinë, me opozitën, me shtetin, me popullin. Se përtallja nuk është vetëm batuta televizive ndaj një gazetari apo komentatori në televizion. Përtallja e vërtetë, e padurueshme është sjellja e emrave të diskredituar publikisht si alternative më e mirë!

Mujshari përtallëse është ndryshimi i Kushtetutës gjasme  për të hapur listat (nënkupto zhdukjen e koalicioneve) dhe pastaj mbyllja hermetike e tyre në emër të integritetit të Partisë. Në emër të popullit i hapi listat me nëj fjalim të përulur e të  përkorë,  edhe falenderues e lavdërues madje.  Në emër të Partisë i mbylli ato me një fjalim plot mllef e hakërrim ndaj atyre që kishte lavdëruar në 30 Korrik! Një

Mirëpo mujshari e papërballueshme është t’i thuash të gjithë viktimave tua “Më jepni edhe një mandate të tretë se s’keni parë gjë akoma”