MODELI I SUKSESIT I KOLEGJIT AAB - Gazeta Express
string(32) "modeli-i-suksesit-i-kolegjit-aab"

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 13:59

MODELI I SUKSESIT I KOLEGJIT AAB

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 13:59

Nga: Furtuna Mehmeti

Në një kohë kur arsimi i lartë në botë po kalon transformime të theksuara, duke u përballur me nevojën për përshtatje të shpejtë ndaj tregut të punës dhe zhvillimeve të hovshme teknologjike, pyetja nëse ndjekja e arsimit të lartë dhe pajisja me diplomë universitare mbetet ende një zgjedhje e domosdoshme është bërë më aktuale se kurrë. Ndryshimi i tregut global të punës, i nxitur nga zhvillimet digjitale, ka rritur kërkesën për profesionistë që mendojnë në mënyrë kritike, janë të adaptueshëm dhe të aftë për të zgjidhur probleme komplekse. Në këtë realitet të ri, AAB është rreshtuar përkrah praktikave më bashkëkohore të arsimit të lartë, duke ofruar programe studimi që janë në harmoni me kërkesat e kohës dhe me standardet aktuale të zhvillimit akademik e profesional.

Procesi mësimor në AAB ndërthur teorinë, kërkimin shkencor dhe praktikën në mënyrë organike. Në përfundim të studimeve, studenti pajiset me njohuri të avancuara tё fushës sё studimit, aftësi vendimmarrjeje, autonomi profesionale si dhe kompetenca për të bashkëpunuar në mjedise komplekse profesionale. Përmes integrimit të teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe projekteve me industrinë, AAB u mundëson studentëve përvetësimin e njohurive profesionale dhe zhvillimin e shkathtësive të transferueshme – komunikim, prezantim dhe mendim kritik – që rrisin ndjeshëm punësueshmërinë dhe fleksibilitetin në karrierë. Paralelisht me zhvillimin e këtyre shkathtësive, AAB ofron mbështetje konkrete për nxitjen e kreativitetit dhe iniciativës së studentëve. Përmes projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, si CREATECH, studentët trajnohen për ndërmarrësi dhe shndërrojnë idetë e tyre në biznese reale. Njëkohësisht, grantet vjetore nga Zyra e Projekteve të AAB-së mbështesin iniciativa që pasurojnë jetën akademike dhe nxisin përfshirjen aktive të studentëve.

Një nga elementet më dalluese të AAB-së mbetet integrimi i praktikës në procesin mësimor. ATV përfaqëson një shembull të suksesshëm të ndërthurjes së akademisë me industrinë mediale. I konceptuar si një platformë për ta afruar teorinë me praktikën, televizioni është ndërtuar dhe zhvilluar me kontributin e të diplomuarve dhe studentëve aktualë, duke u shndërruar sot në një nga televizionet më të ndjekura në Kosovë. Integrimi i Fakultetit të Komunikimit Masiv brenda hapësirave të televizionit u mundëson studentëve të përjetojnë në kohë reale dinamikën e profesionit të tyre.

Në fushën e shkencave shëndetësore, ku përgatitja praktike është thelbësore, AAB ka investuar në laboratorë modernë dhe në staf profesional të specializuar. Në programin Dr. Dent. Stomatologji, përveç laboratorëve para-klinikë, studentët realizojnë punë klinike me pacientë realë brenda klinikës dentare të licencuar në kampus, nën mbikëqyrjen e profesionistëve. Ndërkohë, programet BSc Infermieri dhe BA Teknik i Radiologjisë mbështeten në më shumë se 10 laboratorë të pajisur për simulime klinike, duke përmbushur standarde evropiane dhe duke përgatitur profesionistë të gatshëm për tregun vendor dhe ndërkombëtar. Punësimi i drejtpërdrejtë i shumë studentëve në klinika në Gjermani mbetet një tregues i qartë i kësaj cilësie.

Në epokën e transformimit digjital, AAB ka përshtatur vazhdimisht programet e veta me zhvillimet më të fundit teknologjike. Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike punojnë në laboratorë të avancuar me teknologji si AI dhe VR/AR, duke zhvilluar aftësi për të ofruar zgjidhje inovative për sfidat bashkëkohore. Këto përvoja nuk forcojnë vetëm kompetencën profesionale të studentëve, por edhe e bëjnë kalimin nga studimet në tregun e punës shumë më të natyrshëm, duke i pozicionuar ata si profesionistë të përgatitur për kërkesat reale të kohës.

Një dimension thelbësor i përvojës studimore në AAB mbetet lidhja e drejtpërdrejtë me tregun e punës. Kjo lidhje nuk ndërtohet vetëm në fund të studimeve, por nis në hapat e parë të jetës studentore duke i vënë studentët drejtpërdrejt nё kontakt me kompanitë dhe duke ua lehtësuar përfshirjen në praktika në sektorët përkatës. Kjo qasje e hershme ndaj industrisë u mundëson studentëve tё kuptojnë mё mirë kërkesat e tregut tё punës dhe tё marrin vendime mё tё informuara për rrugëtimin e tyre profesional. Një shembull konkret është Panairi i Karrierës dhe i Punësimit, i cili tashmë është shndërruar në një platformë kyçe për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe orientim në karrierë. Në këtë panair marrin pjesë kompani nga sektorë të ndryshëm – nga bankat dhe sigurimet, te mediat, marketingu, teknologjia informative, arsimi dhe shëndetësia – duke krijuar një panoramë të plotë të mundësive që ofron tregu i punës. Për studentët, kjo është një mundësi direkte për t’u prezantuar para punëdhënësve, për të krijuar kontakte bashkëpunimi dhe për të siguruar praktikë profesionale, shpeshherë edhe punësim të menjëhershëm. Vetëm në një edicion të fundit të panairit, mbi 200 studentë kanë arritur të fillojnë punë praktike ose të krijojnë marrëdhënie të rregullta pune me kompani të ndryshme. Këto shifra nuk janë vetëm tregues suksesi, por edhe dëshmi e besimit që industria ka ndaj cilësisë së përgatitjes së studentëve të AAB-së.

Në thelb tё filozofisë sё studimeve nё AAB qëndron qasja “studenti në qendër”. Kjo qasje nuk kufizohet vetëm nё procesin mësimor mirëpo u mundëson studentëve përfshirje reale në vendimmarrje, në ndërveprimin e vazhdueshëm me stafin akademik dhe në ndërtimin e një ambienti mbështetës dhe inspirues për të mësuar. E gjithë kjo mbështetet nga një infrastrukturë moderne dhe një sistem shërbimesh të digjitalizuara, që e bëjnë përvojën studentore më të lehtë dhe më efikase. Me një kampus prej mbi 50,000 m², laboratorë të avancuar, hapësira studimi dhe ambiente rekreative, AAB krijon kushte që i përgjigjen standardeve ndërkombëtare dhe nevojave reale të studentëve.

Në fund, AAB nuk është thjesht një vend ku merret një diplomë. Është një mjedis ku studenti rritet, sfidohet dhe përgatitet për të ardhmen – me njohuri, me shkathtësi dhe me besimin se mund të jetë pjesë aktive e ndryshimeve që po ndodhin në botë.

(Autorja është eksperte e akreditimit dhe sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë)

Advertisement
Advertisement
Advertisement