Njëri nga organizatorët e protestës studentore, Mevlan Ademi, ka reaguar pas raportimeve për ndalimin e studentëve shqiptarë në pikën kufitare, duke kërkuar nga autoritetet që të lejojnë menjëherë hyrjen e tyre në Maqedoninë e Veriut.
Në reagimin e tij publik, Ademi tha se studentët nga Shqipëria po vijnë në mënyrë paqësore dhe në shenjë solidariteti me protestën e studentëve shqiptarë në Shkup.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare! Ata po vijnë në paqe, në solidaritet dhe në mbështetje të kauzës sonë studentore. Çdo pengesë ndaj tyre është pengesë ndaj të drejtës dhe dinjitetit tonë”, deklaroi Ademi.
Ai kërkoi reagim urgjent nga institucionet kompetente dhe lejimin e hyrjes së studentëve pa vonesa të mëtejshme.
“Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë”, theksoi ai.
Ademi paralajmëroi edhe hapa të tjerë në rast se autoritetet nuk veprojnë shpejt.
“Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, ne do të jemi të detyruar të marshojmë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme!”, deklaroi organizatori i protestës studentore.
Ndalimi i studentëve që po vinin nga Shqipëria për të mbështetur protestën në Shkup ka shkaktuar reagime të shumta në opinion dhe rrjetet sociale.
tag_katrorimaqedoni_2