Kurti e përgatiti terrenin për t'ia regjistruar tokën Manastirit të Deçanit pasi Komuna s'po dorëzohej - Gazeta Express
string(100) "kurti-e-pergatiti-terrenin-per-tia-regjistruar-token-manastirit-te-decanit-pasi-komuna-spo-dorezohej"

Lajme

Gazeta Express

28/03/2024 13:30

Kurti e përgatiti terrenin për t’ia regjistruar tokën Manastirit të Deçanit pasi Komuna s’po dorëzohej

Lajme

Gazeta Express

28/03/2024 13:30

E papritur ishte që kryeministri të kërkonte që 24 hektarët buzë lumit Lumbardh t’i regjistroheshin Manastirit të Deçanit. Por Albin Kurti dukej se ishte përgatitur për këtë. Qeveria e bëri një ligj të ri për kadastër, i cili ia mundësoi atij ta jepte vetë autorizimin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, pasi Komuna e Deçanit tash e tetë vjet kishte refuzuar ta bënte këtë.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi para dy javësh se i kërkoi Agjencisë Kadastrale që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’ia transferuar Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë. Ky hap i papritur në vend, u prit mirë nga Perëdimi, që tash mund ta konsideronte të plotësuar një kërkesë të vazhdueshme, të përsëritur qëmoti.

Kurti prej vitesh e kundërshton vendimin e Kushtetueses, të cilin edhe tash e konsideron të dëmshëm, të padrejtë e të çuditshëm. Por për kërkesën e tij për zbatim u arsyetua në një mbledhje të Qeverisë më 13 mars, duke thënë se kjo lëvizje ishte vendimtare për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Për zbatimin e këtij vendimi, Qeveria duket se ishte përgatitur. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani foli të hënën për një ligj të kadastrës, që është ndërruar në fund të vitit të kaluar.

“Para 3-4 muajve, 5 muajve, është ndërruar ligji që Agjencia Qendrore me e pasë të drejtën e regjistrimit, sepse është ditur që Komuna nuk e bën”, tha Hasani në një intervistë në Kanal 10. Ai tha se kështu Qeveria “është përgatitur për ta zbatuar vendimin”.

Më 7 qeshor të vitit 2023 Qeveria e miratoi një projektligj për kadastër të pronës së paluajtshme, i cili kaloi në Kuvend më 14 dhjetor të të njëjtit vit. Në ligjin e ri vërehet një ndryshim i rëndësishëm i cili ia mundësoi Kurtit ta jepte vetë autorizimin për t’ia regjistruar tokën Manastirit të Deçanit. Me ligjin e ri, zyrat kadastrale komunale e bëjnë regjistrimin e së drejtës mbi pronë sipas autorizimit të Agjencisë Kadastrale – e cila autorizohet nga Qeveria; ndryshe nga ligji i vjetër, që parashihte që zyrat kadastrale komunale t’i kryejnë të gjitha aktivitetet kadastrale.

Sipas nenit 5.1 të ligjit të vjetër për kadastrin, ZKK-ja është organ komunal dhe është përgjegjëse për funksionimin e kadastrit. Ndërsa sipas nenit 9.1.2 të ligjit të ri për kadastrin, zyrat kadastrale komunale shërbejnë si pjesë përbërëse të AKK-së.

Ligji i vjetër
Ligji i ri

Pra, me ligjin e vjetër, zyrat kadastrale komunale kanë qenë organe komunale, kurse me ligjin e ri janë pjesë përbërse e Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Neni 5.3 i ligjit të vjetër për kadastrin flet se si “ZKK-ja kryen të gjitha aktivitetet kadastrale në përputhje me kompetencat e deleguara nga niveli qendror, dispozitat e këtij ligji dhe udhëzimet administrative të nxjerra nga AKK-ja dhe Ministria”. Ndërsa sipas nenit 13.4.2 të ligjit të ri për kadastrin, ZKK-të janë përgjegjëse për “regjistrimin e të drejtave të pronës së paluajtshme në RDPP sipas autorizimit të AKK-së në pajtim me dispozitat e këtij ligji”.

Ligji i vjetër
Ligji i ri

Pra, me ligjin e vjetër, zyrat kadastrale komunale kanë kryer të gjitha aktivitetet kadastrale në përputhje me kompetencat e deleguara, kurse me ligjin e ri ato bëjnë regjistrimin sipas autorizimit të AKK-së. Këtë autorizim e jep ministri, përkatësisht Qeveria nën kontrollin e së cilës është AKK-ja.

Agjencia Kadastrale e Kosovës e kishte konsideruar si një “hap drejt arritjes së objektivave” të autoritetit që merret me të dhënat kadastrale projektligjin e miratuar nga Qeveria më 7 qershor 2023.

AKK-ja theksonte se ligji i ri ishte veçanërisht i rëndësishëm për sektorin e të drejtave pronësore.

“Rregullimi normativ i projektligjit ka rëndësi të veçantë për sektorin e të drejtave pronësore, pasi që përcakton kriteret dhe institucionin përgjegjës për mbajtjen, ruajtjen, dhe përditësimin e regjistrave shtetëror të pronave të paluajtshme si dhe të drejtave pronësore mbi ato prona. Ky projektligj do të shënojë reformë rrënjësore në sektorin e kadastrit dhe do të avancojë më tutje sistemin kadastral në Republikën e Kosovës”, thuhej në komunikatën e AKK-së.

Komuna e Deçanit s’e kishte ndërmend t’ia regjistronte atë tokë Manastirit të Deçanit

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e obligonte Komunën e Deçanit që t’ia bartte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, por kjo u refuzua tash e tetë vjet. Nga viti 2000 deri në vitin 2016 kishte zgjatur procesi gjyqësor për atë tokë.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj reagoi i pakënaqur kur Kurti vendosi të mos rezistojë më.

Ditën kur kryeministri njoftoi se do të zbatohej vendimi për tokën te Manastiri, kryetari i Deçanit tha se që tre vjet ka pritur të takojë shefin e Qeverisë për të diskutuar për këtë çështje.

“Kur nuk je i zoti të bësh një hair për këtë vend, është mirë të mos i bësh as sherr këtij vendi”, shkroi ai në Facebok.

Ramosaj në herët e kishte konsideruar vendimin e Kushtetueses si goditje për zhvillimin ekonomik të komunës. Ai vendim, sipas tij, po e vriste shpresën e qytetarëve të kësaj komune, duke i penguar t’i shfrytëzojnë resurset dhe potencialet e Deçanit.

Institucionet e Kosovës dukeshin se do të vazhdonin t’i rezistonin kërkesës së ndërkombëtarëve për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën te Manastiri i Deçanit, buzë lumit Lumbardh, dy kilometra larg qendrës së qytetit. Arsyetimi i kryeministrit ishte se vendimi bazohej në politikën diskriminuese të Serbisë nga vitet ’90 e se ajo tokë i është marrë ndërmarrjeve shoqërore, fabrikës së mjaltit “Apiko” dhe hotelit “Iliria”.

Së fundmi vëmendja e të huajve ishte kthyer atje, me paralajmërimin e prerë të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde se Kosova nuk do ta shohë veten në Këshillin e Europës nëse nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës miratoi të mërkurën raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti i ka përmbushur kushtet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Hapi i radhës do të jetë më 18 prill, kur ky raport do të hidhet në votim në Asamblenë Parlamentare të KiE.