Messi i pavdekshëm: “Hat-trick”, rekord pas rekordi dhe lënë pas Pelen - Gazeta Express
string(66) "messi-i-pavdekshem-hat-trick-rekord-pas-rekordi-dhe-lene-pas-pelen"

Futboll

Gazeta Express

17/06/2026 11:59

Messi i pavdekshëm: “Hat-trick”, rekord pas rekordi dhe lënë pas Pelen

Futboll

Gazeta Express

17/06/2026 11:59

Lionel Messi vazhdon të sfidojë kohën. Në moshën 38-vjeçare, kapiteni i Argjentinës realizoi një “hat-trick” spektakolar në debutimin e kampionëve të botës në Kupën e Botës 2026, duke thyer rekorde historike dhe duke forcuar edhe më shumë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Mbarë bota ishte para ekraneve për të parë paraqitjen e parë të Argjentinës në këtë Botëror, që pritet të jetë edhe i fundit për Messin. Dhe ylli argjentinas nuk zhgënjeu. Përkundrazi, ai dhuroi një tjetër mbrëmje magjike që do të mbahet mend gjatë.

Që me fillimin e ndeshjes, Messi hyri në histori duke u bërë futbollisti i parë që luan në gjashtë Kupa Bote të ndryshme. Në të njëjtën kohë, ai regjistroi edhe paraqitjen e 200-të me fanellën e Argjentinës.

Pak minuta më vonë, ai mendoi se kishte gjetur golin e parë, por realizimi i tij u anulua për pozicion jashtë loje. Megjithatë, ishte e qartë se Messi kishte ardhur për të lënë gjurmë.

Në minutën e 17-të erdhi momenti që ndryshoi gjithçka. Rodrigo De Paul gjeti një hapësirë mes linjave dhe i dhuroi një pasim perfekt. Messi kontrolloi topin, depërtoi drejt zonës dhe lëshoi një goditje të pandalshme me të majtën, duke mposhtur portierin Luca Zidane. Ishte një gol me simbolikë të veçantë, pasi erdhi saktësisht 20 vjet pas golit të tij të parë në një Kupë Bote, të shënuar më 16 qershor 2006 kundër Serbisë.

Në pjesën e dytë, legjenda argjentinase vazhdoi spektaklin. Ai përfitoi nga një top i kthyer nga portieri pas një goditjeje të Alexis Mac Allister për të realizuar golin e dytë, ndërsa më pas kompletoi “hat-trick”-un me një përfundim të klasit të lartë, duke vulosur një natë historike.

Falë këtyre tre golave, Messi u bë vetëm lojtari i dytë në histori që arrin të shënojë në pesë Kupa Bote të ndryshme, duke iu bashkuar Cristiano Ronaldos. Po ashtu, ai barazoi rekordin e Miroslav Kloses si golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve me 16 gola.

Por rekordet nuk mbarojnë këtu. Messi tani është futbollisti me më së shumti kontribute në gola në historinë e Kupës së Botës, me 24 gola dhe asistime të kombinuara, duke lënë pas legjendën braziliane Pelé.

Një tjetër rekord, një tjetër mbrëmje magjike dhe një tjetër dëshmi se Lionel Messi vazhdon të shkruajë historinë e futbollit, edhe në moshën 38-vjeçare. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement