Rafael Leao mund ta ketë mundësinë ideale për t’u rilindur. Sulmuesi portugez pritet të jetë një nga protagonistët e derbit të shumëpritur me Interin, me trajnerin Ruben Amorim që është i gatshëm t’ia besojë një fanellë titullari për t’i dhënë besim dhe për ta rikthyer në formën e tij më të mirë.
Pas një vere të mbushur me zëra për të ardhmen e tij, Leao mbetet pjesë e Milanit dhe Amorim dëshiron ta vendosë në qendër të projektit teknik.
Trajneri portugez e konsideron cilësinë e bashkëkombësit të tij një armë të rëndësishme dhe synon ta ndihmojë ta rikthejë nivelin që e bëri një nga lojtarët më vendimtarë të Serie A, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Derbi mund të jetë ndeshja e duhur për një reagim të madh. Një paraqitje bindëse do t’i jepte Leaos besim, por edhe do të forconte pozicionin e tij në skuadër në një periudhë kur spekulimet e “tregut” vazhdojnë të jenë të pranishme.
Amorim ka bërë të ditur së fundmi se, derisa të ketë zhvillime konkrete në “merkato”, Leao mbetet një lojtar i Milanit dhe do të trajtohet si një element kyç i skuadrës, duke ia dhënë mundësinë t’i tregojë vlerat e tij në fushë.
Interesim për sulmuesin e krahut të majtë kishin shfaqur dy klubet turke, Galatasaray dhe Fenerbahçe, por edhe Al Hilal në Arabinë Saudite, por lojtari i hodhi poshtë këto mundësi pasi dëshirë e tij është të luajë në Premieligë ose në La Liga, oferta që kanë munguar deri tash nga këto dy liga.
Klubet turke ia kishin ofruar një rrogë të majme prej 12 milionë eurosh në vit, përfshirë edhe bonuset, por Leao ka thënë “JO”.
Ndonëse para Botërorit për mediat portugeze kishte konfirmuar se epoka e tij tek Milani kishte marrë fund dhe se po e kërkonte një eksperiencë të re, për momentin Leo mbetet pjesë e Kuqezinjve dhe nesër mbrëma pritet të luajë në miqësoren me Interin. /Gazeta Express