Kanë kaluar vetëm pesë muaj nga përfundimi i Lojërave Olimpike të Parisit 2024 dhe mbi 100 atletë “të pakënaqur” kanë kthyer tashmë medaljet e tyre olimpike, shkruajnë mediat amerikane
Një nga temat më të diskutuara nga Lojërat e verës së kaluar ishte përkeqësimi i dukshëm i disa medaljeve.
Skateri i Team USA, Nyjah Huston, postoi një foto të medaljes së tij vetëm disa ditë pasi regjistroi një rezultat prej 93.37 dhe fitoi medaljen e bronztë olimpike në një finale shumë konkurruese në kryeqytetin francez.
Huston, i konsideruar si një nga më të mirët në botë pasi ka fituar 12 medalje ari në X Games, festoi fitoren e tij gjatë fundjavës.
Por pasi medalja kishte prekur lëkurën e tij – për të mos përmendur faktin që ua kishte dhënë miqve – 29-vjeçari vuri re se medalja po fillonte të përkeqësohej, me ngjyrën e bronzit që zhdukej në disa zona.
“Ok, këto medalje olimpike duken fantastike kur janë të reja,” tha Huston. “Por pasi e lashë mbi lëkurën time me pak djersë dhe pasi miqtë e mi e përdorën gjatë fundjavës…”
“Mesa duket, nuk janë aq cilësore sa mendonim,” vazhdoi ai duke e zmadhuar. “Po duken keq.”
Rezulton se ai nuk ishte i vetmi atlet që vuri re një përkeqësim të tillë në medaljen e tij.
Badmintonisti danez Viktor Axelsen tregoi medaljen e artë që fitoi në Paris 2024 dhe e krahasoi me medaljen e artë që kishte fituar në Tokio 2020, ku medalja më e vjetër dukej shumë më e ndritshme.
Rebeca Andrade, e cila mundi Simone Biles për të fituar medaljen e artë në finalen e dyshemesë, tha se nuk e ka mbajtur fare medaljen e saj.
“Ato [medaljet] përplasen me njëra-tjetrën dhe po gërvishën,” tha ajo. “Po më vjen keq. Dhe nuk dua të jem e mërzitur. Prandaj nuk do t’i mbaj më rreth qafës.”
Pesë muaj më vonë, një raport nga publikimi francez La Lettre ka pretenduar se mbi 100 atletë kanë kthyer medaljet e tyre, të cilat u prodhuan nga Monnaie de Paris (Minta e Parisit) dhe përmbanin një pjesë të Kullës Eifel.
Minta franceze i tha Associated Press se po zëvendëson një numër medaljesh nga Lojërat Olimpike te Parisit 2024 dhe Paralimpiadës pas ankesave të atletëve për përkeqësimin e tyre të shpejtë.
Në total, Minta franceze prodhoi 5,084 medalje për Lojërat Olimpike dhe Paralimpiadën e Parisit.
“Monnaie de Paris e ka marrë shumë seriozisht çështjen e medaljeve të dëmtuara që nga kërkesat e para për zëvendësim në gusht dhe ka mobilizuar ekipet e saj të brendshme,” tha Minta franceze.
“Që atëherë, kompania ka modifikuar dhe optimizuar procesin e saj të lyerjes. Monnaie de Paris do të zëvendësojë të gjitha medaljet e dëmtuara me kërkesë të atletëve gjatë tremujorit të parë të vitit 2025.”
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka konfirmuar gjithashtu se medaljet e dëmtuara do të zëvendësohen sistematikisht nga Monnaie de Paris dhe do të jenë të gdhendura në mënyrë identike me origjinalet. /GazetaExpress/