Më në fund edhe Kosova kundër dopingut - Gazeta Express
string(38) "me-ne-fund-edhe-kosova-kunder-dopingut"

Më në fund edhe Kosova kundër dopingut

Gazeta Express

12/03/2020 12:05

Sportistët kosovarë më në fund do të testohen për përdorimin e substancave të palejuara, dopingut, pasi që mostrat e sportistëve kosovarë do të dërgohen në laboratorë të akredituara për t’u testuar për anti-doping.

Gjatë javëve të fundit, Gazeta Express ka raportuar për problemet lidhur me përdorimin e dopingut në sportin kosovar, pasi që Kosova nuk është e anëtarësuar në Agjencinë Ndërkombëtare Anti-Doping (WADA).

Lexo Edhe:

Mungesa e një Agjencie Anti-Dopingut në vend pothuajse e kishte përjashtuar Kosovën nga të gjitha garat ndërkombëtare. Për t’iu shmangur një ndëshkimi të tillë, Komiteti Olimpik i Kosovës tani ka bërë të ditur se do të fillojë testimi i sportistëve kosovarë.

“Që nga viti i ardhshëm, me rekomandim të Organizatës Botërore të Anti-Dopingut (WADA), KOK ka themeluar Agjencinë për Antidoping në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.

“KosADA është trup i pavarur dhe nga ky vit do të marrë mostrat e urinës së sportistëve kosovarë dhe do t’i dërgojë në laboratoret e akredituara”.

Dopingu është bërë temë këto javë në sportin kosovar pas një deklarate shokuese që e kishte dhënë në emisionin “Favorit” në T7 ish selektori i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, i cili tani punon si instruktor në UEFA. Bunjaki tha se dopingu përdoret në futbollin kosovar dhe se ky është fakt i pamohueshëm.

Në Kosovë që nga paslufta ka pasur dyshime të forta për përdorim të substancave të ndaluara. Madje, ka pasur raste kur ish futbollistë e kanë pranuar se ky fenomen ekziston në futbollin kosovar dhe ka pasur nga ata që pas pensionimit nga futbolli aktiv edhe vet e kanë pranuar përdorimin e dopingut gjatë kohës kur ishin lojtar.

Gjithnjë është përmendur “Ephedrine”, si njëra prej substancave të ndaluara, e që është përdorur kryesisht në futbollin kosovar. Ndërsa, edhe specialistë të mjekësisë sportive kishin dhënë alarm për përdorim të substancave të ndaluara në sportin tonë ku nuk ka as kushte elementare për luftën Anti-Doping që e bëjnë shtetet tjera.

Në tentim për t’i ndaluar këto praktika, Komiteti Olimpik i Kosovës organizoi ligjëratë për njohuri të përgjithshme të anti-dopingut me sportistët përfitues të bursave “Shpresa Olimpike 2020”.

Ligjërues ishte koordinatori i KOK-ut për anti-doping në Kosovë, Gëzim Murseli, njëherit anëtar i Agjencisë së Anti-Dopingut në Kosovës (KosADA). Ligjërata u zhvillua nën motot “Sporti i Pastër” dhe “Thuaj JO Dopingut”.

Krahas sportistëve, të pranishëm ishin edhe trajnerë dhe përfaqësues të federatave. Të pranishmit i përshëndeti presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, i cili theksoi rëndësinë që kanë vijimi i këtyre ligjëratave për të parandaluar masat kundër dopingut.

Ligjërata u mbajt në kuadër të sensibilizimit të sportistëve të Kosovës me masat preventive dhe parandaluese të marrjes së dopingut. /Gazeta Express/