Zgjidhen sportistët kosovarë që do të kontrollohen për doping - Gazeta Express
string(52) "zgjidhen-sportistet-qe-do-te-kontrollohen-per-doping"

Valon Konushevci

25/02/2020 15:52

Zgjidhen sportistët kosovarë që do të kontrollohen për doping

Valon Konushevci

25/02/2020 15:52

Komiteti Olimpik i Kosovës e ka përpiluar një listë me emra të sportistëve nga të gjitha federatat sportive të Kosovës që do të detyrohen t’u nënshtrohen kontrolleve për doping. Institucioni më i lartë sportiv në vend thotë se është i përkushtuar, por edhe i detyruar ndërkombëtarisht, ta shtojë kontrollin e dopingut në Kosovë deri sa të themelohet Agjencia Kosovare Anti-Doping. Mos themelimi i kësaj gati i kishte kushtuar Kosovës me përjashtim nga të gjitha garat ndërkombëtare sportive.

Me qenë se Kosova nuk e ka themeluar Agjencinë Anti-Doping të saj – për çka gati ishte përjashtuar nga të gjitha garat ndërkombëtare – deri në themelimin e saj punën e kësaj agjencie do të mundohet ta kryejë Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) konform një marrëveshjeje mirëkuptimi me Agjencinë Ndërkombëtare Anti-Doping (WADA).

Lexo Edhe:

Kështu, institucioni më i lartë sportiv në vend është i përkushtuar, por edhe i detyruar, ta praktikojë kontrollin e dopingut në sportin kosovar, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.

KOK-u ka konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express se e ka përpiluar listën me emra sportistësh nga të gjitha federatat sportive të Kosovës të cilëve do t’u bëhen kontrollet e dopingut.

“KOK tanimë ka formuar listën e sportistëve nga të gjitha federatat ku pritet të fillohet me marrjen e mostrave të tyre dhe dërgimin e këtyre mostrave në laboratorët e licencuar nga WADA në shtetet më të afërta me shtetin e Kosovës”, ka deklaruar për Gazetën Express sekretari gjeneral i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, pa dashur t’i publikojë emrat e tyre. 

Kosova ende nuk është anëtarësuar në WADA si rezultat i mos-themelimit të Agjencisë Kosovare për Anti-Doping. KOK-u thotë se këtë agjenci duhet ta themelojë Qeveria e Kosovës konform Ligjit për Sport.

Mos-themelimi i kësaj agjencie, sipas Haxhijajt, për pak i ka kushtuar Kosovës me përjashtim nga të gjitha garat ndërkombëtare.

Por, KOK-u e ka marrë përsipër kontrollin anti-doping në vendin tonë deri në themelimin e agjencisë, për çka ka gjetur mirëkuptim të “përkohshëm” nga WADA, me çka nënkuptohet se shteti ynë duhet ta themelojë sa më shpejt këtë agjenci.

KOK-u do të asistohet nga Agjencia Evropiane Anti-Doping (EERADO) për kontroll dopingu në sportin kosovar deri në themelimin e agjencisë kompetente dhe profesionale.

“Me datën 3-4 tetor përfaqësuesit e EERADO (Estearn Europe Antidoping Organization) z. Teimuraz Ukleba dhe znj. Tamar Svenishvilli nga Georgia, erdhën në Kosovë ku mbajtën trajnimin 3 ditore për Koordinator dhe dy zyrtarë të dopingut, të cilët do të merren me testimin e sportistëve dhe dërgimin e mostrave të tyre në laboratorët e akredituara nga WADA”, tha ai.

“Po ashtu është mbajtur seminar me federatat sportive të Kosovës për antidoping. Zyrtarët për antidoping të certifikuar nga WADA u përzgjodhën Gezim Murseli dhe Bernard Tahirbegolli, dyte njohës, te certifikuar dhe te trajnuar ne fushën e antidopingut. Përkohësisht Gzim Murseli u emërua edhe si koordinator, i cili do ti filloje takimet me përfaqësuesit e federatave ne lidhje me informimin e tyre rreth programeve dhe testimeve të sportistëve”, shtoi Haxhijaj.

Gazeta Express shkruan se dopingu është bërë temë këto ditë në sportin kosovar pas një deklarate shokuese që e ka dhënë në emisionin “Favorit” në T7 ish selektori i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, i cili tani punon si instruktor në UEFA. Bunjaki tha se dopingu përdoret në futbollin kosovar dhe se ky është fakt i pamohueshëm.

Në Kosovë që nga paslufta ka pasur dyshime të forta për përdorim të substancave të ndaluara. Madje, ka pasur raste kur ish futbollistë e kanë pranuar se ky fenomen ekziston në futbollin kosovar dhe ka pasur nga ata që pas pensionimit nga futbolli aktiv edhe vet e kanë pranuar përdorimin e dopingut gjatë kohës kur ishin lojtar.

Gjithnjë është përmendur “Ephedrine”, si njëra prej substancave të ndaluara, e që është përdorur kryesisht në futbollin kosovar. Ndërsa, edhe specialistë të mjekësisë sportive kishin dhënë alarm për përdorim të substancave të ndaluara në sportin tonë ku nuk ka as kushte elementare për luftën Anti-Doping që e bëjnë shtetet tjera. /GazetaExpress/