Mbledhja e Qeverisë në detyrë, këto janë vendimet që u morën - Gazeta Express
string(59) "mbledhja-e-qeverise-ne-detyre-keto-jane-vendimet-qe-u-moren"

Lajme

Gazeta Express

22/05/2026 12:51

Mbledhja e Qeverisë në detyrë, këto janë vendimet që u morën

Lajme

Gazeta Express

22/05/2026 12:51

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar një sërë vendimesh që përfshijnë politika sociale, ekonomike dhe administrative.

Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar Raportin vjetor mbi Inspektimet, i cili sipas Qeverisë pasqyron angazhimin për forcimin e sistemit inspektues, rritjen e efikasitetit dhe profesionalizmit, si dhe përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve inspektuese në nivel qendror dhe lokal.

Po ashtu, është miratuar vendimi për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Investimeve dhe Eksportit.

Qeveria në detyrë ka miratuar edhe kërkesën për shpalljen me interes publik të bartjes së pronës komunale në pronësi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me qëllim zhvillimin e Parkut Industrial dhe Teknologjik në Komunën e Gjilanit.

Në kuadër të masave sociale, është miratuar ndarja e 1 milion eurove për zbatimin e Masës 3.4 – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë, pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Gjithashtu, është miratuar vendimi për emërimin e Komitetit për Partneritet Publiko-Privat, si dhe është shqyrtuar kërkesa e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për shpronësimin e pronave ish-shoqërore “Virgjinia” dhe “Metaliku”, të cilat preken nga ndërtimi i “Zonës Industriale” në Komunën e Gjakovës.

Një nga vendimet kryesore të mbledhjes ishte miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, e cila parasheh disa masa mbështetëse për kategori të ndryshme të qytetarëve.

Sipas vendimit, pakoja përfshin mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale, mbështetje për fëmijët përfitues të shtesave për fëmijë, si dhe mbështetje për të punësuarit me të ardhura mujore nën 1,000 euro, të deklaruar në muajin prill dhe që nuk janë pjesë e listës së pagave të institucioneve buxhetore.

Në këtë kategori përfshihen të punësuarit në sektorin privat, organizatat joqeveritare, ndërmarrjet publike dhe kategori të tjera jashtë organizatave buxhetore.

Po ashtu, mbështetje parashihet edhe për studentët aktivë dhe të rregullt në vitin akademik 2025/2026 në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Advertisement
Advertisement
Advertisement