Real Madridi do të mbështesë pjesërisht shpresat e tij në Andriy Luninin në Gjermani, teksa kërkon një përmbysje të madhe ndaj Bayern Munichut në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.
Portieri ukrainas ka qenë shumë i mirë sa herë është aktivizuar në vend të Thibaut Courtoisit gjatë dy sezoneve të fundit.
Ai ishte vendimtar në kualifikimin e Real Madridit në finalen e Championsit më 2024 me paraqitje heroike në penallti, para se të ulej në stol në gjysmëfinale dhe finale, kur Courtoisi u rikthye si titullar.
Në atë kohë, u raportua se Lunini ishte i zhgënjyer me vendimin për të mos luajtur finalen, dhe me kontratën që i skadonte, ai u lidh me largim për të gjetur një skuadër ku do të ishte portier i parë.
Megjithatë, në shtator të atij viti, ai nënshkroi një kontratë të re gjashtëvjeçare me klubin.
Sipas “Diario AS”, një nga arsyet kryesore për këtë vendim ishte mirënjohja.
Raportohet se Real Madridi i ofroi atij dhe familjes së tij mbështetje emocionale dhe institucionale pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, gjë që ai nuk e ka harruar.
Një tjetër faktor që mund ta mbajë më gjatë në klub është mundësia për të pasuar Courtoisin si numër një.
Portieri belg mbush 34 vjeç në maj dhe ka pasur më shumë dëmtime që nga viti 2023, edhe pse mbetet titullar i padiskutueshëm dhe në nivel shumë të lartë.
Aktualisht nuk ka shumë diskutime për kërkimin e një zëvendësuesi të tij, çka tregon se Real Madridi e sheh si portierin e së ardhmes për disa vite.
Megjithatë, me ndikimin e tij gjithnjë e më të madh në “Bernabéu”, debati për rolin e tij pritet të vazhdojë./GazetaExpress/