Maqedonia e Veriut hyri në ligjin për buxhetin e mbrojtjes të ShBA-së - Gazeta Express
string(69) "maqedonia-e-veriut-hyri-ne-ligjin-per-buxhetin-e-mbrojtjes-te-shba-se"

Maqedonia e Veriut hyri në ligjin për buxhetin e mbrojtjes të ShBA-së

Ballina

Gazeta Express

18/08/2022 11:33

Kongresi ShBA-së miratoi Ligjin për autorizim të mbrojtjes kombëtare, në të cilin është përfshirë edhe një amendament për Maqedoninë e Veriut, raporton “Zëri i Amerikës”. Ky është ligj federal me të cilin ShBA-të përcaktojnë buxhetin dhe shpenzimet vjetore të Pentagonit dhe sipas amendamentit, siç thuhet në të, Kongresi udhëzon sekretarin e mbrojtjes, në konsultim me komandantin e Komandës evropiane të ShBA-së, t’ia paraqesë Komitetit të forcave të armatosura në Dhomën e përfaqësuesve, më së voni deri në 1 dhjetor 2022, brifingun në lidhje me planet për stërvitje shtesë të NATO-s ose të përbashkëta SHBA-Maqedonia e Veriut gjatë vitit fiskal 2023, transmeton Portalb.mk.

“Komiteti mbështet fuqimisht rolin integral të Maqedonisë së Veriut si aleat i NATO-s dhe thekson vlerën e stërvitjes Përgjigje e shpejtë 22 të NATO-s në Maqedoninë e Veriut për ndërveprueshmërinë e NATO-s, integrimin rajonal dhe parandalimin kundër agresionit rus”, thuhet në ligj.

Lexo Edhe:

Në të shtohet se është thelbësore që SHBA-ja dhe pjesa tjetër e NATO-s të vazhdojnë të kryejnë stërvitje të ngjashme me Maqedoninë e Veriut dhe të përpiqen për integrim të mëtejshëm.

Maqedonia e Veriut, siç shkruan “Zëri i Amerikës”, është futur në tekstin ligjor të propozuar nga kongresmenja Lisa McClain, bashkëkryetare e Grupit të kongresit për miqësi me Maqedoninë dhe Komunitetin maqedono-amerikan, me kërkesë të Diasporës së bashkuar maqedonase.

SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut në qershor zhvilluan dialogun e parë strategjik, në të cilin u konfirmua mbështetje financiare shtesë nga SHBA-ja në vlerë prej 40 milionë dollarësh për modernizimin e ushtrisë maqedonase. Të dyja vendet u angazhuan për një bashkëpunim më të madh në mbrojtje dhe intensifikimin e stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta.

Ndryshe, dialogu strategjik filloi më 2 qershor në Uashington, ndërmjet delegacionit qeveritar të udhëhequr nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nga ana jonë dhe delegacionit të udhëhequr nga Ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike. dr. Karen Donfried. Dialogu Strategjik paraqet forum i cili siguron vendosjen në kornizë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit bilateral në mbrojtje, ekonomi, arsim, transport, energji, ndryshimet klimatike, zhvillimin demokratik, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, tregtinë dhe temave të tjera me interes të përbashkët

Me fillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve janë ngritur në një nivel të ri më të lartë në emër të thellimit të partneritetit strategjik.