Ky sezon është shumë i rëndësishëm për një numër lojtarësh të Barcelonës, të cilët synojnë të jenë pjesë e Kupës së Botës 2026.
Njëri prej tyre është Joan Garcia, i cili ka shanse të jetë një nga tre portierët që përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, mund të përfshijë në skuadrën për turneun në Amerikën e Veriut.
Garcia, i cili së fundmi është cilësuar si “një nga portierët më të mirë në botë”, ka bërë një fillim shumë të mirë te Barcelona pas transferimit veror nga Espanyoli.
Edhe para kalimit te rivali i qytetit, ai ishte përmendur si kandidat për ftesë në përfaqësuese, por viti 2026 mund të jetë momenti kur ai depërton përfundimisht te “La Roja”.
Mundësia e një grumbullimi të Garcias është komentuar tani edhe nga vetë De la Fuente, i cili foli për “Diario AS” (përmes “Cadena SER”) rreth alternativave në portë për Botërorin e ardhshëm.
“Është e vërtetë që aktualisht po mbështetemi te këta tre dhe jemi shumë të kënaqur me Unain (Simon), Davidin (Raya) dhe Alexin (Remiro), por do të shohim çfarë ndodh deri në mars apo deri në qershor, kush e di. Ne kemi pesë apo gjashtë nga portierët më të mirë në botë. Askush nuk flet për Robert Sanchezin, apo për Leo Romanin. Dhe sigurisht për Joan Garcian… sepse në Spanjë kemi portierë fantastikë. Kur të vijë ai moment, do të duhet të merret një vendim që do t’i kënaqë disa më shumë e disa më pak. Vendimi që do të marr do të jetë ai për të cilin do të jem i bindur”, tha ai.
Garcia ka qenë ndër portierët më të mirë në La Liga gjatë dy sezoneve të fundit dhe do ta meritonte një ftesë në kombëtare.
Megjithatë, e njëjta gjë vlen edhe për Simonin, Rayan dhe Remiron, të cilët aktualisht janë favoritët për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës verën e ardhshme./GazetaExpress/