Luftë çorapëve të bardha - Gazeta Express
string(24) "lufte-corapeve-te-bardha"

Luftë çorapëve të bardha

Gazeta Express

21/07/2020 16:16

Shakatë pa kripë me theksin e politikanëve nga Drenica, me gjestet e politikanëve nga Deçani, me asfaltin e Malishevës ose me ndërtimin e stadiumit nacional në Drenas janë eglendisje koti që mbushin zbrazëtinë intelektuale të një shtrese megallomane e pretencioze. Njëlloj, glorifikimi i ish-ushtarëve që janë kthyer në fshat e punojnë si blegtorë, sikundërqë pikëpyetja jetësore se përse komandantët nuk u kthyen pas lufte të punonin si mësues histore në fshat, reprezenton mesazh të qartë politiko-shoqëror. Përqeshja e folësve të rastit që japin deklarata televizive në rrugë dhe e folura e tyre fshatareske janë njashtu objekt sadist talljesh

Fitim Salihu

Lexo Edhe:

1.

Ata. Tjetri. I huaji. Katundarët. Maniret e tyre arkaike e primordiale. Katundarët që kanë “rënë” pas lufte në qytet. Hedhin mbeturina prej dritaresh. Flasin pa politesë. Mbathin çorapë të bardha, simbole estetike të të qenit të atillë – katundarë, të tjerë. Ekzistencialisti francez, Zhan Pol-Sartri, në dramën e tij “Huis Clos” thoshte që ferri janë të tjerët. Ferri janë katundarët, do të thoshte në këtë kontekst. Ata janë fajtorë për të gjitha e mbi të gjitha për çdo gabim në qeverisje. Aty qëndron shkaku. Eksternalizim i fajit. Kulturalizim i politikës.

Ky fenomen i një sipëranie snobiste kulturore është hasur rregullisht në trajta latente në këto njëzet vite. Por, në leshelinë e tri-katër viteve të fundit ka marrë përpjesëtime të frikshme në qarqe urbane. Pas aktakuzave të fundit ndaj ish-komandantëve të UÇK-së, kjo shpërtheu sheshit si ujërat e zeza. Rrjetet sociale gëluan nga galdimet që solli ky lajm i kobshëm. Kjo është empirikisht e matshme. “Ra ky mort e u pamë”, do thoshte Kadareja. Nejse, jemi parë që moti. Nuk ish diçka e re. Zakonisht snobizmin e kanë përligjur përmes antikorrupsionit. Tanimë nuk patën pas çfarë ta fshihnin sepse nuk bëhej fjalë për akuza korrupsioni. E, aq omniprezente është bërë kjo qasje sa më nuk lodhen as ta fshehin.

Fundja, në këtë vend moti kohë ka rënë perdja e politikës sipas parimeve dhe në skenë ka dalur parimi sipas politikës. Pra, figurat publike – analistë, gazetarë, opinionistë, intelektualë ose çfarëdo qofshin – reagojnë kundrejt proceseve varësisht prej politikës ditore dhe jo parimeve në vetvete. Domethënë, në Kosovë kemi korrupsion dhe korrupsion, feminizëm dhe feminizëm, të drejta privatësie dhe të drejta privatësie. Varësisht se si të konvenon. Lirisht mund të heshtim për një skandal milionësh dhe ta ngritim zërin për tjetrin; lirisht mund ta kritikojmë një publikim email-esh në emër të të drejtës së privatësisë dhe jo vetëm të heshtim në publikime të tjera të pautorizuara, por edhe të ndërtojmë kauza mbi to; lirisht mund ta mbrojmë një politikane në emër të feminizmit kur sulmohet si grua dhe të heshtim kur sulmohen politikane të tjera si gra. Me një fjalë, rrofshin pëlqimet tona subjektive ditore se parimeve s’ia ka parë kush hairin!

Pra, në thelb problemi në Kosovë tash e sa kohë nuk është parimi politik në vetvete. Si rrjedhojë, as kundërshtia kundër aksh politikani nuk është e tillë. As për korrupsionin, as për keqqeverisjen. Ka rëndësi kush e bën dhe jo çfarë bën. Thënë më saktë, ka rëndësi prej nga vjen kryesi dhe jo cila është vepra e tij. “Kthehu ruj lopët se veç për atë punë je” – maksima e kohës në rrjete sociale.

Mungesa e aftësisë për të ndërtuar një kritikë sistemike ideo-politike, shterpësia e diskursit dhe kotësia e vizionit mbi politikën, domosdo prodhojnë dykëmbësh që, në vend se ta kritikojnë politikisht një proces, nxjerrin mllefe krahinore dhe komplekse të rënda identitare.

2.

Kosova nuk ështe sui generis në këtë aspekt. Ka qenë atribut i hapësirës jugosllave fajësimi i katundarëve si mënyrë e eksternalizimit të fajit. Madje, “çorapët e bardha” janë fajësuar edhe për luftën në vetvete. Ideja se nuk po luftojnë kombet mes vete, por katundarët e secilit komb mes vete, ka qenë goxha e hapërdarë në vitet ’90 në qendrat urbane të ish-Jugosllavisë.

Branimir Anzuloviqi, në librin e tij mbi historinë dhe tiparet e nacionalizmit serb, “Serbia hyjnore”, të cilin kam pasur nderin ta përktheja para tri vitesh, flet për redaktorin e revistës beogradase, “Vreme”, Milosh Vashiqin, i cili e shpjegonte luftën në terma të lartësisë gjeografike. “Ne gjithmonë popullatën e kemi ndarë më shumë sipas lartësisë mbidetare sesa sipas gjuhës ose grupit etnik,” thoshte Vashiqi, duke shtuar se “shih për këtë shkak, ‘të egrit e maleve’, pa sens humori, janë forca shtytëse e kësaj lufte.”

Në anën tjetër, Kzavier Bugareli botoi në revistën shkencore “East European Quarterly” në vitin 1999 një punim me titull ironik “Hakmarrja e katundit”, ku shpjegon se si shumë gazetarë dhe intelektualë refuzojnë t’i shohin luftërat në Jugosllavi me thjerrëza kantiane të “luftës së secilit kundër secilit” dhe përdorin ekzagjerime kur e paraqesin këtë luftë thjesht si hakmarrje të fshatit ndaj qytetit. E njëjta haset në shpjegimin e Luftës së Bosnjes përmes përplasjes së rajave – qytetarëve të qetë dhe papcive – fshatarëve të malësisë. E njëjta, shkruan ai, vlen madje edhe në etiketimet stigmatizuese për armikun: serbët u thoshin boshnjakëve “balije”, kurse boshnjakët serbëve “vllasi” – që të dy këto emërtime të popullsive nomadike, fenomen ky i huaj për qytetin, për civilizimin.

Dinko Tomashiqi që herët qe orvatur të gjente ndërlidhje në mes të kulturës rurale dhe praktikave të dhunshme. Ai merr shembullin e çetave të hajdukëve, uskokëve, delinjve, pandurëve, komitëve, bashibozukëve dhe harambashëve që kryesisht vinin nga zonat rurale – qoftë të Maleve Dinarike, qoftë të malësive të tjera ballkanike. Mbi veprën e Tomashiqit, tre sociologë kroatë – Stjepan Mestroviqi, Sllaven Lletica dhe Mirosllav Goreta – botuan në vitin 1993 një libër në ShBA ku studiojnë karakteret sociale në trajta të llojndryshme të Evropës Lindore dhe ndërtojnë një ndarje si me thikë mes karakterit kozmopolit të qytetit dhe karakterit agresiv të malësorëve.

Me një qasje të këtillë antropologjike merret edhe Xhon Ellkoku nga Universiteti i Bredfordit, i cili shpjegon narrativën me strumbullar diferencën fshat-qytet në rastin e luftës së serbëve të Krajinës kundër shtetit të sapolindur kroat. Sipas tij, nga 13 komunat serbe në Krajinë, vetëm dy kishin më shumë se 50 mijë banorë dhe nga 580 mijë serbët e Kroacisë, më pak se 50 mijë syresh jetonin në Zagreb. Në qytezat rurale votohej SDS-ja nacionaliste serbe, thotë ai, kurse serbët e Zagrebit e votonin SDP-në, pasardhësen e Lidhjes së Komunistëve të Kroacisë.

Por, ajo që Ellkoku nuk harron ta potencojë është edhe hendeku shoqëro-ekonomik mes zonave rurale dhe atyre urbane, i cili ishte trashëguar nga Jugosllavia socialiste.

3.

Pra, fenomeni i përbuzjes ndaj “çorapëve të bardha” haset edhe në Jugosllavinë socialiste, përkundër se ajo proklamonte egalitarizëm.

Mari-Zhaninë Kaliku, tekqë flet për stratifikimin social në Jugosllavinë socialiste, shkruante se zhvillimi ekonomik krijoi një klasë të mesme që përbëhej nga elita arsimore, intelegjencia teknologjike dhe burokratët që, përpos pozitave të privilegjuara, u disociuan nga grupet më të ulëta nëpërmjet të të ardhurave më të larta që sollën një stil të ndryshëm jeteseje. Kjo klasë e re, e cila po lindte viteve ’60, siç shkruan Patrik Patersoni, definohej nga qasja në të mirat materiale që ishin të paqasshme për klasat e ulëta dhe viset rurale.

Disparitetet e zhvillimit industrial jo vetëm që përshkallëzuan dallimin Veri-Jug, por edhe ngritën barriera sociale mes viseve urbane dhe rurale. Modernizmi socialist jo thjesht krijoi klasa antagoniste, por edhe krijoi një nënklasë të të varfërve permanentë që në rastin e Kosovës ishte stratumi i fshatarësisë shqiptare.

Një studim i Koça Jonçiqit dëshmon se kishte dyfish më shumë serbë dhe malazezë se sa shqiptarë të punësuar në Kosovë. Gjersa 80% e shqiptarëve merreshin me bujqësi, kjo vlente vetëm për 63% të serbëve e malazezëve. Ellkoku shkruan se në vitin 1989 Kosova kishte vetëm 25% të GDP-së për banor në krahasim me GDP-në për banor të Jugosllavisë.

Sipas Izabel Shtrohlles, dallimi vihet re edhe brenda Kosovës. Në vitet ’60, 20 nga 28 komunat e Kosovës (ku asnjëra prej tyre nuk kishte qendër urbane) kishin mesatare të të ardhurave për frymë më të ulët edhe se mesatarja shkatarraqe e Kosovës. Madje, 10 syresh paraqitnin mes 30% dhe 50% të të ardhurave për frymë krahasuar me mesataren kosovare. Për shembull, Skënderaj në vitin 1973 – viti i apeksit të “zhvillimit jugosllav” – kishte vetëm 35% të të ardhurave për kokë banori krahasuar me mesataren e Kosovës.

Këtë diskrepancë sociale s’e fshihnin dot as statistikat zyrtare. Në një botim të Entit Krahinor të Statistikave të vitit 1978 kjo shihet qartë – më 1968, 2/3 e të punësuarve në qytetet kosovare kishin stufë me gaz ose elektrike, gjersa kjo shifër në ekonomitë fshatare ishte vetëm 0.7%. Një tjetër botim i vitit 1972 paraqet se raporti mjek-banor në Mitrovicë ishte 1:1,700 dhe në Prishtinë 1:1,900, gjersa në Skënderaj ishte 1:18,300, në Klinë 1:14,100 dhe në Suharekë 1:11,300.

Në librin e tij “Fshati i Kosovës”, të botuar më 1985, gjeografi Hivzi Islami shkruan se gjendja në fshatrat e malësive të Kosovës (Drenicës, Karadakut, Gollakut, Moravës dhe Kollashinit) nuk kishte shënuar ndonjë ndryshim substancial në krahasim me periudhën para Luftës së Dytë Botërore.

4.

Pra, për ato që fajësohen sot “katundarët” fajin mund ta gjeni tek Jugosllavia. Ata, “katundarët”, sikurse edhe “ajka” e snobizmit urban, janë para së gjithash produkte shoqërore të pothuajse gjysmë shekulli të Jugosllavisë socialiste. Prapambeturia e zonave rurale, mosinvestimet ekonomike dhe mungesa e infrastrukturës, spitaleve e shkollave kanë qenë karakteristika të KSA të Kosovës. 12% e të rinjve në Kosovë nuk kanë ditur ta shkruajnë as emrin e tyre jo më herët se në vitin 1971. Me gjasë, bazuar në rrjetin e dobët të shkollave në vise rurale, në mesin e fshatarësisë kjo përqindje ka qenë edhe më e lartë. Këto janë “peshqeshe” nga shoku Tito dhe nga nënshokët e Komitetit Krahinor.

Megjithëkëtë, një pjesë e konsiderueshme e gjuetisë së shtrigave ndaj “çorapëve të bardha” e ka limerin mu në rrethin e ngushtë shoqëror e familjar të shumë nënshokëve. Por, këtu kontribuon edhe eshalloni i dytë e i tretë i klasës së mesme të ancien régime-it jugosllav. Shakatë pa kripë me theksin e politikanëve nga Drenica, me gjestet e politikanëve nga Deçani, me asfaltin e Malishevës ose me ndërtimin e stadiumit nacional në Drenas janë eglendisje koti që mbushin zbrazëtinë intelektuale të një shtrese megallomane e pretencioze. Njëlloj, glorifikimi i ish-ushtarëve që janë kthyer në fshat e punojnë si blegtorë, sikundërqë pikëpyetja jetësore se përse komandantët nuk u kthyen pas lufte të punonin si mësues histore në fshat, reprezenton mesazh të qartë politiko-shoqëror. Përqeshja e folësve të rastit që japin deklarata televizive në rrugë dhe e folura e tyre fshatareske janë njashtu objekt sadist talljesh.

Natyrisht, edhe përkufizimi i tyre kulturor për “qytetin” është më i ngushtë se përkufizimi gjeografik i tij. Prishtina për snobët është Sheshi, Qafa, Ulpiana, Dardania, Bregu i Diellit dhe kafiqat mes këtyre lagjeve. Vranjevci, Kolovica, Rruga e Bledit, Matiqani, Lagjia e Spitalit, madje edhe Lagjia e Muhaxherëve, nuk përjetohen si Prishtinë. Ato janë favellat e “ëndrrës jugosllave”, të cilat nuk shihen kurrë në panoramat nostalgjike të Prishtinës së vjetër sepse janë turpi, njolla, zgjebja, e atij sistemi dhe asaj epoke.

Natyrisht, në një vend ku “aristokracia” dhe “filistinët” maten me simbolika qesharake, aty nuk ka as aristokraci. Çorapët e bardha, trenerkat, maica kuq e zi, Fanta në kafiq (anipse e prodhon e njëjta kompani që prodhon Coca Cola-n) – në fakt flasin vetëm për varfërinë intelektuale të snobëve dhe nuk paraqesin kurrënjëfarë shenjuesi objektivisht të dukshëm të të qenit ose mos të të qenit aristokrat dhe filistin. Në këtë pikë, duket se ata nuk dallojnë nga sivëllezërit e tyre kulturo-ideologjikë në Beograd, Zagreb e gjetkë që krejt shpjegimin për gjithçmos e kanë të ndërtuar mbi këtë konstrukt binar identitar – me “patricë” e “plebej” të modernitetit traumatik ballkanik.

Fundja, përse ofendohemi kur Ana Bërnabiqi na quan “të zbritur nga malet?” A nuk bashkëjetojmë çdo ditë me paragjykime të atilla, të thëna në trajtë racizmi të internalizuar, drejtuar “katundarëve” e “malokëve”? A kemi të drejtë morale që të reagojmë për të njëjtat deklarata që vetë ne ia themi vetes, tonëve? A nuk është hipokrizi të viktimizohemi ndaj deklaratave të Bërnabiqit, ndonëse çdo ditë ia themi vetes, tonëve? A nuk është snobizmi ndaj katundarëve replikim surrogat dhe banal i racizmit serb ndaj shqiptarëve? “Monkey see, monkey do.” Pjesa më e gërditshme vjen kur kjo shndërrohet në projekt politik. Në terma marksistë do të mund të quhej një reaksion i klasës së lartë dhe të mesme të ancient regime-t. Kjo qasje reaksionare vërehet askund më mirë se sa në gjykimin e luftës së UÇK-së dhe krerëve të saj brenda orbitës së ndarjes social-raciste “ne dhe katundarët”. Gjykata Speciale iu fanitet si elikzir që me një abrakadabra do t’i zhbëjë e do t’i zbojë katundarët prej skene. Siç e kam thënë më herët, fatkeqësisht dhe gabimisht, një pjesë e këtyre shamanëve të një të shkuare të tejlargët e të pakthyeshme nuk e kanë përjetuar fitoren e UÇK-së si çlirim nacional, siç edhe ishte, por si përmbysje klasore. Duket sikur lufta e Drenicës mes Shaban Polluzhës dhe nënshokëve s’ka përfunduar kurrndonjëherë.