Lojtarit të Bregut të Fildishtë i ndalohet hyrja në Kanada, pas hetimeve ndaj tij për trukime - Gazeta Express
string(92) "lojtarit-te-bregut-te-fildishte-i-ndalohet-hyrja-ne-kanada-pas-hetimeve-ndaj-tij-per-trukime"

Futboll

Gazeta Express

18/06/2026 18:01

Lojtarit të Bregut të Fildishtë i ndalohet hyrja në Kanada, pas hetimeve ndaj tij për trukime

Futboll

Gazeta Express

18/06/2026 18:01

Sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Elye Wahi, i cili po hetohet për dyshime për trukime ndeshjesh, nuk është autorizuar të udhëtojë në Kanada për ndeshjen e radhës të Kupës së Botës kundër Gjermanisë, ka njoftuar të enjten federata e futbollit e Bregut të Fildishtë.

Bregu i Fildishtë përballet me Gjermaninë të shtunën në Toronto.

Federata tha se Wahi nuk do të mund të udhëtojë me skuadrën sepse “autorizimet e nevojshme administrative për hyrjen e tij në territorin kanadez nuk mund të siguroheshin në këtë fazë”.

Wahi ishte titullar në sulm për Bregun e Fildishtë kur ata mposhtën Ekuadorin 1-0 në ndeshjen e parë në Filadelfia të hënën.

Ai do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara në pritje të kthimit të ekipit, tha federata.

Liga franceze e futbollit, Ligue 1, tha të mërkurën se ishte vërejtur një “numër i pazakontë bastesh” të vendosura ndërkombëtarisht për marrjen e një kartoni të verdhë nga Wahi në një ndeshje të Ligue 1 kundër Nice në maj.

Liga franceze u njoftua nga partnerët që monitorojnë tregjet e basteve për aktivitet të dyshimtë në nivel ndërkombëtar në lidhje me ndeshjen e Nice kundër Metz më 17 maj, e cila përfundoi 0-0 dhe ku Wahi mori një karton të verdhë.

Liga franceze tha se ia kaloi këtë informacion policisë dhe autoriteteve të lojërave të fatit, si dhe Federatës Franceze të Futbollit.

I pyetur nëse Wahi ishte marrë në pyetje nga policia, prokuroria e Marsejës tha për “Associated Press” se “një futbollist profesionist 23-vjeçar, që garon në Ligue 1, u arrestua më 29 maj 2026, si pjesë e hetimit”.

Zyra shtoi se “hetimi ka të bëjë me vepra të dyshuara të mashtrimit të organizuar, korrupsionit sportiv të organizuar, pranimit të mallrave të vjedhura dhe pastrimit të parave”.

Lojtari u mor në pyetje gjatë ndalimit policor dhe më pas u lirua pa u mbajtur në paraburgim. Hetimi, sipas tyre, vazhdon.

Përfaqësuesit e Wahi nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Federata e Futbollit të Bregut të Fildishtë (FIF) tha se nuk është njoftuar zyrtarisht “për ndonjë procedurë gjyqësore apo administrative” që lidhet me Wahi.

“Gjatë kësaj periudhe veçanërisht delikate, FIF i ofron lojtarit mbështetjen e plotë dhe riafirmon besimin në të,” thuhet në deklaratë.

“Elye Wahi mbetet një anëtar i rëndësishëm i ekipit kombëtar të Bregut të Fildishtë”, thuhet tutje.

17 maji ishte raundi i fundit i sezonit në Ligue 1. Më pak se dy javë më vonë, Wahi ndihmoi Nice të qëndrojë në Ligue 1 duke shënuar dy gola në fitoren 4-1 ndaj Saint-Étienne në ndeshjen e dytë të “play-offit” për mbijetesë/promovim.

23-vjeçari Wahi ishte transferuar te Nice në huazim nga klubi gjerman Eintracht Frankfurt në janar dhe shënoi nëntë gola në 18 ndeshje gjithsej, duke ndihmuar ekipin të arrijë në finalen e Kupës së Francës.

“Spot-fixing” është manipulimi i paligjshëm i një pjese të caktuar të ndeshjes, shpesh për qëllime bastesh, pa ndikuar domosdoshmërisht në rezultatin final të saj./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement