Një gjest prekës nga Paris Saint-Germain në “Anfield Road”.
Para ndeshjes ndaj Liverpoolit, lojtarët portugezë të skuadrës parisiene e kanë bërë një homazh emocionues për Diogo Jotan, duke e vizituar memorialin e ngritur jashtë stadiumit legjendar anglez.
Skuadra e PSG-së mbërriti në Liverpool një ditë para sfidës së Champions Leagues dhe, përpara seancës stërvitore, disa prej lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit ndaluan për ta kujtuar sulmuesin portugez, i cili e humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik së bashku me vëllain e tij, shkruajnë mediat angleze, përcjell “Gazeta Express”.

Në qendër të këtij homazhi ishin futbollistët portugezë të ekipit, si Vitinha, Joao Neves dhe Nuno Mendes, të cilët vendosën lule të bardha në kujtim të bashkëkombësit të tyre, në një moment që e ka prekur thellë gjithë botën e futbollit.
Gjesti nuk kaloi pa u vënë re, duke e treguar edhe një herë lidhjen e fortë mes lojtarëve portugezë dhe respektin për një figurë të dashur si Jota, i cili ka lënë gjurmë të mëdha si te Liverpooli ashtu edhe te kombëtarja e Portugalisë.

Homazhet në “Anfield” vazhdojnë ende, ndërsa kujtimi për Diogo Jotan mbetet i gjallë në mesin e tifozëve dhe të komunitetit të futbollit, me këtë moment emocional që ia shton një dimension të veçantë përballjes mes Liverpoolit dhe PSG-së. /Gazeta Express