Kreshnik Uka është zgjedhur “Ylli i Javës” në Superligën e futbollit.
Futbollisti i njohur shkëlqeu në fitoren e madhe të Drenicës ndaj Llapit me rezultat 1:0, ku e shënoi golin vendimtar që ai solli tri pikë ekipit Kuqezi, në luftën për mbijetesë.
Vlerësimi u bë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, shkruan “Gazeta Express”.

Pasi mori këtë çmim, Uka u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës:
“E kemi ditur rëndësinë e ndeshjes, pasi që kemi pasur përballë rivalin direkt, FC Llapin. Kjo fitore ka vlerën e gjashtë pikëve, sepse kemi barazuar pikët me Llapin dhe Ferizajn, dhe besoj se tani jemi në garë për t’u shpëtuar rënies dhe barazhit.”
“Atmosfera është shumë e mirë në ekip, duke falënderuar bashkëlojtarët që japin gjithmonë maksimumin, si dhe stafin e trajnerit Bernabiq, po ashtu edhe kryesinë, sepse kanë dalë disa zëra që kryesia ka borxhe ndaj lojtarëve, por këto nuk janë të vërteta.”

“Unë në çdo ndeshje hyj për të dhënë maksimumin dhe nuk e mendoj kurrë çmimin, golat janë të rëndësishëm për ekipin. Besoj se edhe në këto tetë ndeshje që kanë mbetur do të kontribuoj për ekipin që Drenica të shpëtojë nga rënia dhe të qëndrojë në Superligë, aty ku e meriton”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Gazeta Express