Lojtarët e pavaksinuar e kanë të ndaluar pjesëmarrjen në French Open, konfirmon ATP-ja - Gazeta Express
string(85) "lojtaret-e-pavaksinuar-e-kane-te-ndaluar-pjesemarrjen-ne-french-open-konfirmon-atp-ja"

Sporte tjera

Gazeta Express

19/01/2022 12:08

Lojtarët e pavaksinuar e kanë të ndaluar pjesëmarrjen në French Open, konfirmon ATP-ja

Sporte tjera

Gazeta Express

19/01/2022 12:08

Shoqata e Profesionistëve të Tenisit (ATP) i ka paralajmëruar lojtarët e tenisit për pasojat me të cilat do të përballen për pjesëmarrje në grand slamin e dytë të vitit, French Open, nëse nuk zotërojnë certifikatë të vaksinimit kundër Covid-19.

ATP-ja është në pritje të sqarimit nga Federata Franceze, por i ka paralajmëruar tenistët se do ta kenë të ndalur pjesëmarrjen në French Open nëse nuk janë të vaksinuar, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Në një njoftim për lojtarët e tenisit, ATP-ja i konfirmoi pasojat e ligjit për vaksinën që do të hyjë në fuqi nga 24 janari në Francë.

“Lojtarët e pavaksinuar nuk do të jenë në gjendje të marrin pjesë në turnet e tenisit në Francë. Lojtarët duhet të jenë plotësisht të vaksinuar për të qenë në gjendje të garojnë, apo të zotërojnë ndonjë certifikatë mjekësore që i përjashton nga vaksinimi për arsyeje mjekësore”, thuhet në njoftim.

Arsyetimi i për të mos u vaksinuar për arsyeje të infektimit me koronavirus  së fundmi nuk do të merret parasysh, paralajmëron ATP-ja, megjithëse ende është në pritje të një sqarimi nga Federata e Tenisit e Francës dhe Qeveria e këtij vendi.

Novak Djokovicit i ishte pranuar një përjashtim i tillë mjekësor për të luajtur në Australian Open, por Forca Kufitare e Australisë e vlerësoi si të pamjaftueshëm atë dhe ia ndaloi hyrjen në vend.

Tenisti serb, i cili nuk është i vaksinuar kundër Covid-19, u dëbua nga Australia të dielën një ditë para fillimit të turneut grand slam Australian Open, pasi gjykata e mbajti në fuqi vendimin për t’ia anuluar atij vizën.

34-vjeçarit i ishte pranuar një përjashtim mjekësor nga marrja e vaksinës për të hyrë në Australi nga dy panele mjekësore – njëri i thirrur nga Tennis Australia dhe tjetri nga qeveria e shtetit të Victorias – pasi kishte dalë pozitiv në testin për koronavirus në mes të dhjetorit.

Megjithatë, Forca Kufitare e Australisë e ndaloi 20 herë fituesin e titujve grand slam më 5 janar për shkak se nuk i kishte plotësuar kërkesat e qeverisë federale për koronavirusin dhe si pasojë viza e tij u anulua.

Një gjykatë e shfuqizoi atë vendim, por qeveria ia anuloi vizën përsëri të premten, duke thënë se ishte në interes të publikut./Gazeta Express/