Bordi i kompanisë “MediaWorks”, pjesë e së cilës janë Gazeta Express dhe Televizioni T7, ka emëruar sot Drejtorin e ri të kompanisë, z. Leonard Kerqukin, i cili deri më tash ka ushtruar detyrën e Kryeredaktorit.
Leonard Kerquki, i cili nga viti 2010 ushtron detyrën e Kryeredaktorit të Gazetës Express e më pas edhe atë të Televizionit T7, nga sot do të jetë Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë. Emërimi i Kerqukit vjen pas dorëheqjes së Drejtorit të deritashëm, z. Berat Buzhala.
Leonard Kerquki është pjesë e Gazetës Express nga tetori i vitit 2006 dhe është një prej themeluesve të Televizionit T7.
Karrierën e tij, ai e ka filluar në vitin 2004 si gazetar, kurse nga viti 2008 si redaktor i politikës në Gazetën Express. Në vitin 2010 emërohet Kryeredaktor i Gazetës Express. Në vitin 2016, Kerquki është autor dhe producent i disa emisioneve televizive që prodhonte në atë kohë mediumi.
Ai ishte autor i emisionit shumë të ndjekur “Zona Express”, me të cilin në vitin 2017 fiton edhe Çmimin e Parë të Bashkimit Europian për Gazetari Hulumtuese.
Nga viti 2018 Kerquki udhëheq emisionin “Pressing”, që sot është emisioni më i ndjekur politik në Kosovë.
Leonard Kerquki për disa vite ka qenë anëtar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës dhe anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë.
Thellë nga natyra e paprekur, në zemër të Bjeshkëve të Istogut, nga mali madhështor i Moknës, shtrihet një perlë...