Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë sot në seancë plenare projektligjin “Për performancën energjetike të ndërtesave”, një nismë ambicioze që synon përmirësimin e eficiencës energjetike dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serrë në sektorin e ndërtimit.
Projektligji, i cili ka kaluar më parë fazën e shqyrtimit në komisionet parlamentare, parashikon ndër të tjera rinovimin e rreth 8200 ndërtesave publike deri në vitin 2050, që përfaqësojnë një sipërfaqe prej 5.5 milionë metrash katrorë. Sipas parashikimeve, çdo vit do të rinovohet 3% e sipërfaqes së ndërtesave në pronësi të qeverisjes qendrore dhe 2% në nivel vendor.
Gjatë diskutimeve në komisione, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, theksoi se ligji synon jo vetëm ndërtimin e godinave të reja me standarde të larta energjetike, por edhe transformimin e ndërtesave ekzistuese në objekte pa emetime. Ligji do të zbatohet që nga faza e projektimit, deri në dhënien e lejes së shfrytëzimit dhe gjatë gjithë ciklit të rinovimit.
Projektligji është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2050, si dhe një hap konkret drejt përputhjes me direktivat e Bashkimit Europian në fushën e energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.