Kurti pret që Kosova të bëhet anëtare e KiE në maj: Zotimet tjera duhet të përmbushen pas anëtarësimit - Gazeta Express
string(101) "kurti-pret-qe-kosova-te-behet-anetare-e-kie-ne-maj-zotimet-tjera-duhet-te-permbushen-pas-anetaresimit"

Kurti pret që Kosova të bëhet anëtare e KiE në maj: Zotimet tjera duhet të përmbushen pas anëtarësimit

Lajme

Gazeta Express

14/04/2024 23:49

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur sot para Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Një pjesë të fjalimit ia ka kushtuar anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës duke e kujtuar vendimin e “paevitushëm” të 13 marsit për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Deçanit.

“Në kuadër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, procesi ishte bllokuar nga akterët relevant të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate për shkak se Kosovës i ishin vënë tri parakushte të cilat duhej të plotësoheshin para se procesi të përparonte me tutje. Si rezultat i lobimit intensiv të institucioneve tona, për çfarë në veçanti e falënderoj Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, u arrit që nga këto tri parakushte, përparimi i procesit të anëtarësimit të sigurohej me vetëm një parakusht: zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e Manastirit të Deçanit” ka thënë ai.

Lexo Edhe:

“Sado që kishim të bënim me një vendim të padrejtë e të çuditshëm të Gjykatës Kushtetuese, dakordimi që të mbetej ky parakusht ishte arritur mes raportueseve politike dhe tri grupeve me të mëdha politike në Asamblenë Parlamentare. Pra, ishte parakusht i pakompromis dhe i pa kthyeshëm”, ka shtuar ai.

Kreu i qeverisë duke folur para bashkëpartiakëve ka thënë se pret që të martën në Asambleja Parlamentare e KiE ta miratojë rekomandimin e raportueses për anëtarësimin e Kosovës.

“Në anën tjetër, pas shqyrtimeve të gjata e të detajuara juridike u siguruam që ky rast nuk përben precedent dhe dihej tashmë që nuk kishte asnjë mjet legal e juridik për ta kontestuar atë”.

“Pas dy ditëve, pra pasnesër, më 16 prill, do ta kemi votimin më të rëndësishëm deri më sot në këtë proces, me ç’rast Asambleja Parlamentare pritet ta miratojë Opinionin e znj. Bakoyannis i cili rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës, pa asnjë parakusht shtesë dhe pa fusnotë”.

Tutje, Kurti ka folur edhe për pritjet që Kosova të anëtarësohet gjatë muajit maj kur Ministrat e vendeve anëtare të mblidhen në Reykjavik të Islandës.

“Betejën e radhës e të fundit për këtë proces do ta kemi deri në mesin e muajit maj, kur mbahet ministeriali i Këshillit të Evropës i cili duhet ta ftoj Kosovën që të bëhet anëtarja e 47 e organizatës më të madhe dhe më të vjetër të kontinentin tonë. Këto janë pritjet tona sepse raportet e Juristëve Eminent dhe të tri raportueseve politike kanë treguar që Kosova plotëson standardet dhe ka përmbushur parakushtet. Prandaj, nuk ka arsye për hezitim, shtyrje e aq më pak për kundërshtim”, ka theksuar Kurti.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE është diskutuar në një takim mes QUINT’it dhe tre krerëve të institucioneve të shtetit( Osmani, Kurti, Konjufca) ditë më parë. Edhe pse s’ka pasur ndonjë njoftim publik, pritjet janë që Qeveria ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft statutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Për këtë ka folur publikisht javën që po e lëmë pas Ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde.

“Qeveria nuk guxon të rrezikojë, sepse aty kemi, në Këshillin e Ministrave, kemi të bëjmë me secilën votë për ta çuar përpara aplikimin, për ta marrë Kosovën në Këshillin e Europës dhe secila votë është e rëndësishme, sepse aty ka edhe shtete anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën dhe të cilat, vota e tyre dihet se çfarë mund të jetë. Prandaj Kosova duhet të lëvizë. Dua qartas ta them se nuk bëhet fjalë për realizimin e Asociacionit, por për t’u bërë hapa të vazhdueshëm, për të mos u ndalur”, tha Rohde të martën gjatë një interviste.

Kryeministri Kurti sot para delegatëve dhe aktivistëve nuk dha ndonjë sinjal se çfarë e ka ndërmend të bëjë.

Ai ka përmendur se raporti i raportueses Bakoyannis thotë se zotimet tjera të Kosovës duhet të përmbushen pas anëtarësimit.

Për të ecur tutje në rrugën drejt anëtarësimit Kurti, Osmani e Konjufca i kishin dërguar një letër raportueses se do t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit e Ohrit ku përfshihet edhe Asociacioni.